Pak "shpresë" për të rinjtë shqiptarë të shfrytëzuar nga bota e krimit

Nga A2 CNN
8 Mars 2023, 15:20 | Bota
Pak "shpresë" për të rinjtë shqiptarë të

Një shoqatë bamirësie shqiptare në lindje të Londrës, kohët e fundit, u vu në qendër të vëmendjes pasi ndihmoi një djalë 16-vjeçar, i cili u largua në mënyrë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas përfundoi duke punuar në një fermë kanabisi.  

Adoleshenti është një nga 12.561 shtetasit shqiptarë që udhëtuan drejt Britanisë së Madhe me gomone vitin e kaluar, çka shkaktoi edhe një debat të fortë rreth emigrimit të paligjshëm.

"Një burrë i moshuar shqiptar i premtoi 16-vjeçarit se do ta ndihmonte të gjente motrën e tij që jetonte në Londër. Në vend të kësaj, ai u dërgua në punë duke u kujdesur për bimët e kanabisit. U mbyll brenda shtëpisë së kanabisit për tre muaj, derisa policia bastisi vendin, gjeti minorenin dhe e ribashkoi me motrën e tij."

Menaxherja e shoqatës "Shpresa"

Statistikat e emigracionit për vitin 2022 tregojnë se shqiptarët përbënin 28% të të ardhurve në Britaninë e Madhe me gomone, përqindje më e madhe kjo se e çdo kombësie, ndjekur nga afganët (20%). Arsyet e largimit nga vendlindja janë të shumta, por mbi të gjitha faktorët ekonomikë i çojnë të rinjtë të ndërmarrin këtë rrezik.

Në shoqatë, gjen njerëz që kanë përjetuar dhunë në familje ose kanë ikur nga martesat e detyruara. Stafi asiston gjithashtu gratë e trafikuara për prostitucion ose djem që i largohen hasmërisë. P.sh një 25-vjeçar, tha se nuk kishte dëshirë të linte prindërit dhe vëllezërit e tij tetë vjet më parë, por një mosmarrëveshje mes familjes së tij dhe një familjeje tjetër, detyroi të atin e tij të paguante që djaloshi të largohej në Angli. Kërkesa e të riut për azil u refuzua, por në vend që të kthehej në shtëpi, filloi të punonte në të zezë. Kaloi muaj duke jetuar dhe punuar në një lavazh, duke fjetur në zonën e garazhit, mes kimikateve dhe duke fituar 10 £ në ditë. Në vitin 2020, ai apeloi kundër vendimit të tij për azil, por ende është në pritje të një vendimi. Rasti i tij është një nga 166.000 dosjet e prapambetura të azilit të Home Office.

“Kriminelët synojnë njerëzit e varfër në fshatra, ku asgjë nuk funksionon. Pasi bien dakord, bien në duart e trafikantëve. Fushatat e rekrutimit në TikTok ofrojnë çmime më të ulëta për kalimet e kanalit me varka të vogla. Njerëzit që mbërrijnë në Angli në këtë mënyrë dhe më pas përballen me refuzimin e kërkesës për azil, janë të detyruar të punojnë në fshehtësi ose të merren me punë kriminale. Ata nuk mund të kthehen në shtëpi nëse nuk i kanë kthyer paratë që u detyrohen trafikantëve të tyre.”

Numri i shqiptarëve që u larguan ilegalisht në Angli arriti kulmin midis korrikut dhe shtatorit 2022. Rishi Sunak nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë shqiptare në dhjetor dhe tha se do të jepeshin udhëzime të reja për punonjësit e çështjeve të imigracionit e për ta bërë të qartë se Shqipëria është një vend i sigurt. Menaxherja e shoqatës “Shpresa” tha se ishte e shqetësuar pasi perceptimi i përgjithshëm është i gabuar. “Ne shqetësohemi se qeveria nuk po lufton kriminelët, por po lufton njerëzit që po përdoren dhe abuzohen nga kriminelët.” (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/11/bbc-pse-vijne-shqiptaret-ne-britani-dhe-sa-kane-mberritur-deri-tani/

A2 CNN Livestream

Latest Videos