
Organizata e Kombeve të Bashkuara jep lajmin e keq se bota është 300 vite larg arritjes së barazisë gjinore.
Në ditën e gruas, sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndryshimin e kornizave ndërkombëtare për mbrojtjen e grave, pasi ato aktuale nuk po funksionojnë.
“Seanca e Komisionit për Statusin e Gruas është një nga ngjarjet vjetore më të rëndësishme në Kombet e Bashkuara dhe merr një rëndësi edhe më të madhe në një kohë kur të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën. Përparimi i fituar gjatë dekadave po zhduket para syve tanë. Në Afganistan, gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike. Në shumë vende, të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave po zhbëhen. Në disa vende, vajzat që shkojnë në shkollë rrezikojnë të rrëmbehen dhe të sulmohen. Në të tjerat, policia shënjestron gra të pambrojtura, të cila është betuar t'i mbrojë. Barazia gjinore po bëhet gjithnjë e më e largët. Në kushtet aktuale, UN Women e vendos atë 300 vjet larg. Vdekshmëria e nënave është në rritje.
Një grua vdes çdo 2 minuta gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Shumica e këtyre vdekjeve janë të parandalueshme. Ndikimi i pandemisë COVID-19 vazhdon për miliona vajza të detyruara të largohen nga shkolla, nëna dhe kujdestare të detyruara të largohen nga puna me pagesë dhe fëmijë të detyruar të martohen në moshë të hershme. Nga Ukraina në Sahel, krizat dhe konfliktet prekin së pari dhe më keq gratë dhe vajzat. Dhe në nivel ndërkombëtar, disa vende tani madje kundërshtojnë përfshirjen e perspektivës gjinore në negociatat shumëpalëshe. Të jemi të qartë. Kornizat ndërkombëtare nuk po funksionojnë për gratë dhe vajzat në botë. Ata duhet të ndryshojnë”, tha Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB. (A2 Televizion)