Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar rritjen më të madhe të infektimeve nga koronavirusi në një ditë, me Amerikat që numërojnë shumicën e rasteve të reja. 183 mijë persona u infektuan gjatë 24 orëve të fundit; më shumë 50 mijë prej të cilëve në Brazil, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe India. Megjithatë numri i lartë i personave të prekur lidhet pjesërisht edhe me rritjen testimeve rreth botës. Brazili bëhet vendi i dytë në botë, pas Shteteve të Bashkuara që regjistron më shumë se 50 mijë vdekje të lidhura me Covid-19. Bilanci i hidhur vjen mes trazirave të vazhdueshme politike, dhe ditë pasi vendi konfirmoi mbi 1 milion infektime. Protesta e kundër-protesta po zhvillohen në vendin ku piku i pandemisë vlerësohet të jetë disa javë larg. Presidenti Jair Bolsonaro kundërshtoi ashpër masat e kufizimit e ndërmarra nga autoritetet lokale për frenimin e pandemisë. Mbështetësit e tij, kërkojojnë fundin e izolimit e rikthimin në punë ndërsa kritikët e ngrenë zërin kundër reagimit të mangët ndaj krizës shëndetësore dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit. Shtim të konsiderueshëm të rasteve më Covid -19 ka edhe në Shtetet e Bashkuara, ku numërohen tani mbi 2.2 milionë të prekur dhe gati 120 mijë vdekje. Gjithashtu India raporton rritje drastike të infektimeve. 15 mijë rastet e regjistruara të dielën e çuan në mbi 400 mijë totalin e personave të prekur me Covid-19, ndërkohë që viktimat në vend janë 13 mijë e 254. Lajme më të mira vijnë nga Pekini, ku gjatë 24 orëve të fundit pati vetëm 9 rate të reja. Kjo është hera e parë në më shumë se 10 ditë, që kur shpërtheu një valë e re e koronavirusit, që të dhënat janë më numër një shifror. (A2 Televizion)
Pandemia e Covid-19 në botë, rritje rekord e rasteve në Brazil, SHBA dhe Indi
