
Ndonëse policëve të burgjeve u është premtuar barazimi i pagave me ato të Policisë së Shtetit, duket se problematikat në këtë sektor janë të shumta, ndaj Komisioni i Sigurisë priti përfaqësues të Sindikatës për të dhënë mendimet e tyre në hartimin e projektligjit. Fillimisht, avokati renditi mes të tjerave, shqetësimet për periudhën e provës dhe largimin nga radhët e policisë së burgjeve.
“Periudha e provës nuk përcaktohet në afatin prej një viti, pasi bie ndesh me kodin e punës. Ndërsa masa disiplinore me largim duhet të jetë vetëm kur punonjësi i policisë së burgjeve dënohet me vendim të formës së prerë”, tha avokati Eduard Dedaj.
Më tej, kreu i sindikatës dha disa propozime konkrete, për të përmirësuar punën në terren të mijëra efektivëve. “Një pjesë e aseteve të konfiskuara nga elementët e dënuar për veprën penale të krimit të organizuar, si resorte apo hotele turistike, t’i kalojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të përdoren për rekreacion”, tha Dedaj. “Këtu të shtohen edhe makinat. Në Korçë për shembull kemi makina të viteve 1970, si mund të çohet në Gjykatë i burgosuri VIP me mjet që nuk ka as targa”.
Anëtarët e sindikatës kërkuan përmirësime të shpërblimeve financiare, kryesisht për sa u përket pensioneve dhe kërkuan të trajtohen njëlloj me efektivët e policisë së shtetit, gardës, ushtrisë, zjarrfikëseve, etj. (A2 Televizion)