
Një situatë totalisht jashtë kontrollit, është ajo që denoncoi Partia Demokratike në lidhje me gjendjen në spitalet Covid.
Shtretërit janë drejt ezaurimit dhe pacientët po lihen në rrugë, deklaroi ish-deputetja, Oriola Pampuri, e cila e quajti të pamjaftueshme edhe hapjen e të ashtuquajturit spital Covid-3, që në fakt është vetëm një repart.
“Në dyert e spitaleve Covid dhe në urgjencën e QSUT-së, 24 orët e fundit kanë qenë dramatike! Situata është totalisht jashtë kontrollit, shtretërit janë drejt ezaurimit, shërbimi është në ditët e tij më të këqija dhe pacientët po lihen në rrugë. Sot, mund të dalin dhe të lajmërojnë se do të hapin Covid 3. Nuk është e mjaftueshme! Covid 3 në të vërtetë nuk është një spital. Është ish-pavijoni i urologjisë, me një përshtatje bazike të 11 dhomave me nga 2 shtretër. Pra, ai mund të akomodojë vetëm 22 persona, pothuajse asgjë për numrin e lartë në rritje të të infektuarve. Është një zgjidhje vetëm për pak ditë, ndërsa situata pritet të përkeqësohet”, shprehet Pampuri. (A2 Televizion)