“Ndiqni paratë”, zbardhen diskutimet e ambasadorit të SHBA me Brahon e Ketën: Askush nuk është mbi ligjin

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 13:55 | Politikë

“Ndiqni paratë”, zbardhen diskutimet e ambasadorit të SHBA

Ambasada Amerikane në Tiranë ka zbardhur detaje nga takimi i ambasadorit të SHBA-së, Eric Wendt, me kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.

Në fokus të diskutimeve ka qenë bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve të trafikut të drogës, si dhe rëndësia e garantimit të konkurrencës së ndershme dhe tenderave të drejtë.

Wendt ka theksuar se bizneset amerikane duan të investojnë në Shqipëri, por kërkojnë besim te respektimi i kontratave, tenderët të jenë të drejtë, dhe askush të mos jetë mbi ligjin.

"Kompanitë amerikane duan të investojnë në Shqipëri, në energjitikë, infrastrukturë, turizëm dhe teknologji. Firmat amerikane do të vijnë kur të kenë besim që kontratat respektohen, tenderat janë të drejtë dhe sistemi i drejtësisë siguron zbatimin e barabartë dhe të drejtë të ligjit për të gjithë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Thjesht zbatojeni ligjin barazisht.

Kur një tender manipulohet ose kur praktikat ligjore apo të biznesit janë korruptive, fusha e lojës nuk është e barabartë dhe ofertuesi amerikan tërhiqet. Kur ai investitor largohet, Shqipëria humb vende pune dhe sakrifikon rritjen ekonomike",bën me dije ambasada.

Ambasadori amerikan ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjes së veprimeve ndaj rrjeteve kriminale që trafikojnë kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Europës.

"Çështjet e krimit të organizuar ndërkombëtar kanë rëndësi, sepse rrjetet që e çojnë kokainën në Evropë – rrjetet që ju po i luftoni – e blejnë atë nga të njëjtat kartele të Amerikës së Jugut që helmojnë komunitetet amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë përcaktuar shumë nga ato grupe si organizata terroriste të huaja.

Çdo kontenier që sekuestroni, çdo llogari bankare që bllokoni dhe çdo kre krimi që sillni para drejtësisë iu heq karteleve paratë dhe pushtetin. Dhe, çdo rrjet që çmontoni na bën të gjithëve më të sigurt: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë. Ligjzbatuesit amerikanë do të vazhdojnë t’i luftojnë këto rrjete, por veprimet  shqiptare, nënkuptojnë se atyre nuk u duhet të luftojnë vetëm".

Wendt vuri në dukje se “shumë krime të rënda lënë gjurmë digjitale”, duke u kërkuar prokurorëve të ndjekin provat dhe paratë.

"Zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët e organizuar vënë bast se ju nuk mund ta ndiqni atë gjurmë përtej kufijve, nëpër aplikacione të enkriptuara dhe brenda portofoleve të kriptomonedhave. Ky seminar ka për qëllim t’iu provojë që e kanë gabim. Ndiqni provat. Ndiqni paratë. Ndërsa i bazoni vendimet tuaja vetëm te provat dhe ligji – kurrë në bazë të pozicionit, lidhjeve apo rëndësisë së një personi – me agjencitë tuaja apolitike dhe të pavarura nga çdo ndikim i jashtëm i papërshtatshëm, Shtetet e Bashkuara janë krenare të qëndrojnë krah jush".

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos