Për më pak se 60$ bëheni pronar i një kështjelle franceze

Nga A2 CNN
18 Tetor 2018, 21:46 | Aktualitet

A keni ëndërruar ndonjëherë që të bëheni pronar i një kështjelle përrallore në një fshat të Francës? Tani mund ta bëni ëndrrën realitet dhe mund t’ju kushtojë vetëm 58$.

Një projekt për mbledhjen e fondeve për restaurimin e kështjellës Ebaupinay në rajonin perëndimor të Francës, Deux-Sevres, ju ofron mundësinë që të bëheni aksionerë në këmbim të fondeve për rindërtimin e kështjellës së rrënuar. Ata që investojnë do të kenë edhe privilegjin që të marrin edhe tituj aristokratik jo zyrtarë, ndërsa mund të thonë mendimin e tyre edhe për mënyrën se si do të rindërtohet kështjella.

“Shpresojmë që të jemi në gjendje t’i rikthejmë kështjellës pamjen që kishte në Mesjetë, rreth 500 vjet më parë”, tha Romain Delaume, themeluesi i shoqatës “Dartagnans” që administron projektin, pjesë e një nisme më të madhe, të quajtur “Birëso një Kështjellë”.

Në dhjetor 2017, 27910 përdorues të internetit nga 115 vende arritën të siguronin fondet për restaurimin e një tjetër kështjelle, Mothe-Chandeniers, në perëndim të Francës, e cila po shembej me ritme të shpejta.


Kështjella Mothe-Chandeniers

Kështjella Ebaupinay – emri i së cilës do të thotë “Gjembi i Bardhë” – është ndërtuar rreth shekullit XIV dhe XV me stil gotik, me lejen e Mbretit Charles VII. Në vitin 1989 është klasifikuar zyrtarisht si Monument Historik dhe është parashikuar që pasi të rindërtohet, duke përdorur teknikat mesjetare, do të tërheqë deri në 60 000 vizitorë në vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos