Edi Rama kërkon që në Tiranë të kthehet normaliteti duke u treguar protestuesve që agresioni i turmës nuk mund të marrë dot peng kryeqytetin.
Me anë të një deklarate brenda Kryeministrisë së blinduar me forcat e rendit nga jashtë, shefi i qeverisë mendon që askush nuk e ka të drejtën të cenojë lirinë dhe të drejtën e askujt tjetër: “Duan të lëvizin lirisht në këtë qytet, duan të çojnë fëmijët në shkollë, të shkojnë në punë, të mbajnë hapur dyqanet deri në darkë, të shëtisin në mbrëmje të patrazuar. Shkurt, duan të jetojnë pa qenë të detyruar të ndryshojnë rendin e ditës së tyre, për shkak të një turme agresive ndaj normalitetit të Tiranës”.
Ata që në shesh kërkojnë për ditë me radhë largimin e tij nga posti i Kryeministrit, për Edi Ramën nuk është kërkesë e popullit, por “dëshira” të paplotësuara të disa grupeve: “Kush janë këta dhe në emër të kujt duan t'i imponojnë shoqërisë sonë, kryeqytetit tonë, vendit tonë, shembullin e forcës së verbër të anti-ligjit dhe anti-njerzillëkut? Një mishmash kategorish ku janë mbledhur bashkë individë e grupe sociale, parti politike që s'kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. As dua të përsëris këtu përzierjen e duarve të huaja, parasë së zezë, krimit të organizuar...”.
Politikisht thotë se atë nuk e dëmton protesta, por e pranon që ekonominë e vendit po, shkruan A2. Por, as kjo nuk e bën të mendojë për largim pa vote: “Unë gjuhën e forcës, të imponimit, të dhunës apo normat e bashkëjetesës demokratike nuk i negocioj me askënd. Këto bam-bumet e këtyre javëve nuk kanë asnjë shans të largojnë qeverinë, por ama e kanë goditur ekonominë dhe vetë Shqipërinë, e cila prej dy javësh eksporton pamje që nuk i ftojnë, po i largojnë turistët; që nuk i ftojnë, po i largojnë investitorët; që nuk e ftojnë, po e largojnë paranë nga vendi. Unë jam këtu për ta dhe kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse do të jetë këtu për ta deri ditën e fundit të mandatit”.
Edi Rama u dërgoi një mesazh edhe studentëve dhe pedagogove të cilët kanë bojkotuar auditoret në fakultete. Qeveria po mendon edhe ndërhyrje në ligj për t’i ndaluar ata: “Klima e terrorit të krijuar në mjediset e shkollës apo në celularët tuaj, nga një pakicë e dhunshme mbi shumicën, për të dalë në protestë apo për të mos bërë mësim, është e papranueshme. I papranueshëm është edhe bojkoti i mësimit nga një pjesë e pedagogëve, individë të politizuar që duan të përdorin studentët si mish për top dhe nuk e kanë për herë të parë”.
Studentët i fton sërish në dialog në dy forma, ballë për ballë ose online nëse ata kan frikë nga paragjykimi: “Nëse doni ta rishikojmë Paktin e të lini gjurmën tuaj edhe për studentët pas jush, bujrum, me dialog, me njerëzillëk dhe durim. Në ditët në vijim do të hapim një dritare digjitale për dialogun, e cila do t'i shërbejë të gjithë atyre që duan të dialogojnë me mua po kanë frikë, frikë në vitin 2027”.
Kryeministri në monologun e tij flet për një Shqipëri që nuk meriton luftë primitive, por standarde europiane. Oferta është vetëm bashkëpunim me qeverinë e tij: “Punë, punë, punë. Mund, mund, mund. Këmbëngulje, këmbëngulje, këmbëngulje”. (A2 Televizion)