
Ka zgjatur rreth 3 orë raundi i tretë i negociatave për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Delegacionet e të dyja vendeve, të mbledhura në Brest të Bjellorusisë, kanë diskutuar gjerësisht për gjetjen e një zgjidhjeje për evakuimin e civilëve nga zonat e luftës.
“Ka lëshime të vogla dhe pozitive në përmirësimin e logjistikës për korridoret humanitare”, u shpreh anëtari i delegacionit ukrainas, Mikail Podoljak.
Ai shtoi më tej se janë mbajtur “konsultime intensive për respektimin e një armëpushimi dhe të garancive të sigurisë”.
Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, tha se pritshmëritë e Moskës nga negociatat me Ukrainën nuk u përmbushën.
Më herët, Rusia zbuloi kushtet për të ndaluar në moment luftën në Ukrainë. Kremlini i kërkon Kievit të ndryshojë Kushtetutën për të ruajtur neutralitetin, pra të mos anëtarësohet në BE dhe NATO; të njohë Krimenë si territor rus; të njohë rajonet e Donetsk dhe Luhansk si shtete të pavarura. Kjo ishte hera e parë që Rusia tregoi kaq hapur kushtet e saj për t’i dhënë fund asaj që e konsideron një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Kievi ka sinjalizuar se mund të bëjë lëshime vetëm për neutralitetin dhe jo për integritetin territorial. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbëngul se Rusia nuk po kërkon pretendime të mëtejshme territoriale ndaj Ukrainës. (A2 Televizion)