
Kontejneri u vendos me sukses në Zubin Potok të Kosovës. Ky objekt do të shërbejë si qendër votimi për zgjedhjet e pjesshme lokale të parakohshme të së dielës. E njëjta praktikë është ndjekur edhe në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon se përgatitjet janë drejt përfundimit që votimi i 23 prillit të jetë i suksesshëm.
“Për momentin për përgatisim qendrat e votimit që do të hapen për ditën e zgjedhjeve. Në këto katër komunave, ne kemi një total prej 19 qendrash, 6 janë të rregullta dhe 13 janë në qendra alternative që do të mbahen në objekte të tjera në disa lokacione të këtyre katër komunave”, u shpreh Elezi.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së u bë e ditur se në terren janë angazhuar dhe ekipe lëvizëze për të monitoruar procesin zgjedhor, përveç vëzhguesve.
“Gjithsej kanë aplikuar 37 organizata vëzhguese duke përfshirë subjektet politike, përfaqësues të vendeve të huaj në Kosovë, shtëpi mediatike dhe OJQ.... Zyra konstaton se 6 OJQ nuk përmbushin kushtet ose kriteret ligjore për tu akredituar si vëzhguese për shkak se nuk janë të specializuara në zgjedhjeve dhe në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut...Në total do të jenë 31 organizata që do të marrin pjesë në procesin e vëzhgimit me gjithsej 357 vëzhgues”, tha Burim Ahmetaj, shef i sekretariatit të KQZ.
Në këtë mbledhje, KQZ miratoi 49 komisionerë në Leposaviq, 22 në Zubin Potok, në Zveqan 28 komisionerë, ndërsa në Mitrovicë të Veriut 63 komisionerë. Qytetarët në këto katër komuna me shumicë serbe në Kosovë do të votojnë për kryetar dhe dy kuvende komunale. Në garë për të marrë drejtimin e komunave janë 11 kandidatë nga 4 subjekte politike, ku vetëm dy janë të komunitetit serb. Në këto zgjedhje nuk merr pjesë Lista Serbe. Zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës erdhën pas dorëheqjes masive të serbëve nga postet e tyre në administratë, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë Kurti për heqjen nga qarkullimi të targave ilegale serbe. (A2 Televizion)