Të paktën 5 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi të armatosur në një kishë në Afrikën e Jugut. Sipas të dhënave paraprake mendohet se ka pasur një debat të ashpër prej kohësh në këtë kishë në lidhje me lidershipin e saj.
Policia e Johannesburg bën me dije se tashmë ngjarja ka marrë fund dhe nga duart e agresorëve u shpëtuan dhjetëra gra e fëmijë që mbaheshin peng prej disa orësh. Në fund të operacionit u arrestuan 40 persona si dhe u sekuestrua një arsenal i madh armësh.
Konflikti për drejtimin e kësaj kishe ka nisur në vitin 2016 pas vdekjes së priftit. Policia ishte lajmëruar dhe herë të tjera për të shtëna me armë në këtë objekt kulti mes besimtarëve. (A2 Televizion)