Petro Koçi jep shpjegime në SPAK: Zyrtarët të mos i përthyhen presioneve të krimit

Nga A2 CNN
26 Korrik 2021, 17:30 | Aktualitet

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur verifikimet lidhur me pretendimet publike të deputetit të zgjedhur, Petro Koçi, për elemente të botës së krimit që përfitojnë nga financat publike. Pasi doli nga godina e SPAK në Tiranë, Koçi tha për gazetarët se i qëndron deklaratës se personazhe nga bota e krimit kanë kërcënuar zyrtarë të niveleve të ndryshme në Fier. “Është një gjë për të cilën jam shumë i bindur. Nga marrëdhëniet që kam me elektoratin dhe qytetarët, por edhe nga fakti që shumica e zyrtarëve në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time. Sigurisht që ka zyrtarë të cilët janë lodhur nëpër zyra dhe i janë përkulur presioneve të krimit. Media ka bërë shumë akuza dhe referime konkrete dhe unë iu thashë, për çdo gjë konkrete kam kurajon të bëj kallëzim penal”, u shpreh deputeti socialist. “Duhet të inkurajojmë zyrtarët që të mos i përthyhen presioneve të krimit. Duhet të inkurajojmë opinionin publik dhe zyrtarët që të denoncojnë rastet e presionit nga bota e krimit. Të gjithë duhet të përkulin dhe ta tkurrin veprimin e botës së krimit. Unë po nxis veprimtarinë e organeve ligjzbatuese dhe po përgëzoj rezultatet e reformës në drejtësi, që nuk bëhej dot pa PS. SPAK nuk ka kufizime, është i lirë që të veprojë ndaj kujtdo që ka abuzuar me financat publike dhe bashkëpunon me botën e krimit”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos