
Në një kohë kur Damian Gjiknuri nga mikrofoni i A2 CNN përsëriti ftesën për opozitën që të ulen në tryezën e zgjedhores në Kuvend, Oerd Bylykbashi iu përgjigj me një tjetër dokument si kusht për të vijuar bisedimet
“Duhet të ndalohet i gjithë zinxhiri i përdorimit të pushtetit përmes vendimmarrjes, financimit, administratës, aktivitetit publik, propagandës dhe përfitimit elektoral”.
Garancitë sipas demokratëve duhet të nisin që me dekretimin e datës së zgjedhjeve, ku ndëshkimet të jenë në kohë dhe jo pas zgjedhjeve.
“Masat gjysmake nuk shërbejnë aspak. Zgjidhja duhet të jetë e plotë, përndryshe nuk funksionon”.
Kush shkel ligjin do të përballet me ndëshkime, duke nisur që nga gjobat, dënimet penale e deri te humbja e mandatit jo vetëm për të zgjedhurin.
“Një risi e kësaj pakete është humbja e mandatit. Ai që zgjidhet dhe konstatohet se ka përfituar nga përdorimi i burimeve shtetërore humbet mandatin, ashtu siç e humbet edhe subjekti që ai përfaqëson. Pra, ai që vjedh nuk mund të mbajë atë që ka vjedhur”.
Madje PD parashikon dhe pavlefshmëri të zgjedhjeve kur përdorimi i burimeve shtetërore ndikon në rezultatin në zonë apo në nivel kombëtar.
“Nëse përdorimi i burimeve shtetërore është i një shkalle të tillë që ka ndikuar në të gjithë zonën zgjedhore apo në të gjithë Shqipërinë, atëherë kjo duhet të çojë drejt pavlefshmërisë së zgjedhjeve”.
Bylykbashi sqaroi se këto ndryshime ligjore do të jenë në fuqi për 10 vite, ku qëllimi është që situata të rikthehet në normalitet. Paketa e demokratëve përmban 45 nene të cilat do të përfshihen në Kodin Zgjedhor. (A2 Televizion)