“Votë me detyrim, jo elektronikë” Berisha fton opozitarët: Të bëhemi bashkë pa kushte

Nga Anesti Barjamemaj
13 Nëntor 2026, 19:02 | Politikë

“Votë me detyrim, jo elektronikë” Berisha fton

Pasi dërgoi udhëzimin në degë për të gjetur kandidaturat, Sali Berisha po mendon edhe për rregullat e lojës që do të përballet me kundërshtarin në 9 Maj.

Për të qartësuar qëndrimet e tij dhe të Partisë Demokratike thërriti deputetët në një mbledhje, ku pohoi se është gati për një reformë të thellë zgjedhore për të adresuar të gjitha shqetësimet e qytetarëve dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Nuk mjaftojnë vetëm rregullat, por theksoi apelin për bashkim ndaj sërish ftoi pa kushte të gjithë opozitarët duke pranuar që të vendos radhë të dytë interesat e PD-së.

“Rëndësi kryesore ka të bashkohemi në këtë reformë, ta bëjmë bashkërisht. Garantoj të gjithë partitë opozitare që ndjehen opozitarë se ne jemi të hapur dhe të gatshëm të marrim parasysh të gjitha ndjeshmëritë e tyre. Ne do vëmë jo interesin e PD të parin, por interesin e bashkimit të opozitës të parin”.

Listat e hapura Berisha i vendos si kusht, por thotë se janë të hapur për të folur për pragun.

“Ne qëndrojmë për lista plotësisht të hapura për një zonë të vetme kombëtare në proporcional të plotë. Po, një proporcional të plotë, me një prag të ujdisur, konsensual”.

Për të maksimalizuar votat, nga demokratët përsëritet thirrja për rikthimin e koalicioneve. Berisha tregoi edhe disa qëndrime që pak i ka eksploruar në diskursin e tij në muajt e fundit.

“Ne jemi për vendosjen e barazisë së plotë në vendimmarrje në KQZ, pozitë-opozitë. Do të ishte zgjidhja më e mirë, raundi me balotazh. Ne ftojmë të gjitha forcat politike opozitare të mbështesin votimin e detyrueshëm të qytetarëve".

Për numërimin elektronik u shpreh kategorikisht kundër, ndërsa sa i takon votës së diasporës Berisha se duhet menduar për ndryshime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos