Polemika për çmimin e maskave, 6 miliardë euro në vit për rimëkëmbjen e ekonomisë në Itali

Nga A2 CNN
28 Prill 2020, 17:17 | Bota
Polemika për çmimin e maskave, 6 miliardë euro në vit

Për rimëkëmbjen ekonomike të Italisë pas izolimit dhe koronavirusit, do të duhen 6 miliardë euro investime në vit deri në 2031. Deklarata vjen nga ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri, i cili foli për ndërhyrje specifike për të stimuluar rritjen.

Në vitin 2020, sipas parashikimeve të qeverisë, vendi fqinj do të humbasë 70 miliardë euro në konsum. Kjo është rënia më e fortë e regjistruar ndonjëherë që prej pasluftës.

“Po diskutojmë për heqjen e taksës për sheqerin dhe plastikën”, shpjegon Guatlieri, ndërsa thekson se po përgatitet dhe një model ndihme për biznesin e mesëm dhe të madh për të kapërcyer situatën e rëndë të krijuar nga pandemia. Italia po shkon drejt rihapjes së ekonomisë, por masat lehtësuese kanë shkaktuar mjaft polemika.

Kundërshtimet për rregullat në fazën e dytë të pandemisë lidhen kryesisht me lëvizjen e lirë dhe maskat mbrojtëse. Duke nisur nga 4 maji do të lejohet qarkullimi i qytetarëve brenda rajoni dhe jo jashtë tij dhe kjo konsiderohet e tepërt nga italianët. Ndërsa do të shpërndahen dhe 12 milionë maska në ditë, por çmimi i tyre ka shkaktuar polemika. Qeveria vendosi një tavan për çmimin e maskave, që është kundërshtuar gjerësisht nga tregtarët.

Liberalët kërkojnë që çmimi i tyre të vendoset nga tregu. Ndërkohë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në lehtësimin e masave. Sa i përket rikthimit në normalitet të plotë, kjo do të ndodhë vetëm pas gjetjes së një vaksine kundër Covid-19. Që prej shpërthimit të pandemisë, në Itali kanë humbur jetën më shumë se 27 mijë persona dhe janë prekur më tepër se 199 mijë vetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos