
Shifra shpresëdhënëse vijnë nga vendet europiane më të goditura nga koronavirusi. Spanja shënoi 301 humbje jetësh në 24 orët e fundit, me një total viktimash prej më shumë se 23 mijë e 800. Virusi pandemik në këtë shtet ka prekur mbi 210 mijë vetë, gjysma e të cilëve janë shëruar.
Plani i qeverisë spanjollë për zbutjen e kufizimeve do të shtrihet në 4 faza dhe parashikon një rikthim në normalitetin e ri nga fundi i qershorit, . Ndërsa njoftoi strategjinë e re, kryeministri Pedro Sanchez tha rajonet do t’i lehtësojnë masat me ritme të ndryshme, në varësitë ecurisë së pandemisë.
Katër ishuj spanjoll mes të cilat ato Baleare dhe Kanarie, do të jenë të parat që do të nisin heqjen graduale të kufizimeve në 4 maj, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekë shembullin një javë më vonë. E ashtuquajtura faza zero, apo faza përgatitore për lehtësimin gradual të masave do të nisën në 4 maj.
Prej atëherë do të lejohen shëtitjet dhe aktivitetet sportive edhe larg shtëpisë. Në fazat e tjera do të bëhet rihapja graduale e dyqaneve, deri në rikthimin përfundimtar në atë që Sanchez e quan normalitet i ri, në fund të qershorit.
Hartimi i tyre ka nisur prej disa javësh dhe u përshpejtuan nga presioni i lartë i qytetarëve ndaj ekzekutivit të drejtuar nga kryeministri Pedro Sanchez. Në 3 muajt e fundit kanë humbur vendin e punës rreth 300 mijë spanjollë, ndërsa biznese të shumta po hasin vështirësi të mëdha ekonomike.
Ndërkohë, Gjermania raporton informacione pozitive në luftën kundër koronavirusit. Përhapja e COVID-19 ka rënë në nivelin 1, që do të thotë se një i infektuar e transmeton virusin vetëm tek një person tjetër.
Prej ditësh Gjermania ka nisur bashkëjetesën me pandeminë, natyrisht duke respektuar disa masa si përdorimi i maskave mbrojtëse në ambiente publike dhe ruajtja e distancimit social. Qeveria federale raporton mbi 6 mijë viktima dhe më tepër se 158 mijë të infektuar që prej shpërthimit të koronavirusit.
Shifrat treguan një trend përmirësimi dhe në Francë. Bilanci i viktimave ditore është gjithnjë e në rënie, ndërsa pandemia u ka marrë jetën më shumë se 23 mijë personave dhe ka prekur më shumë se 165 mijë vetë.
Vendi e bën të detyrueshme mbajtjen e maskave në transportin publik dhe shkollat sekondare, pasi kufizimet të zbuten, nga 11 maji. Shkollat do të rihapen gradualisht, duke nisur me kopshtet dhe shkollat fillore, ndërsa nxënësit nga 11 deri në 15 vjeç, do të detyrohen të mbajnë maska.
Dyqanet jo thelbësore do të hapin qepenat duke nisur nga 11 maji, por baret dhe restorantet do të presin më shumë. Francezët do të mund të dalin pa autorizim dhe do të lejohen grumbullimet deri në 10 persona.
(A2 Televizion)