
Ndoshta ardhja në pushtet e Listës së Studentëve në Serbi do të sjellë edhe pragmatizëm, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Rezultati nuk do të ishte çlirimi i Serbisë, por izolimiolitikë të jashtme, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe shumica e popullsisë në Bosnjë do të duhet të bashkohen në një formë a në një tjetër kundër një Serbie të tillë. Këto vende do të duhet të përballen së bashku me një vend, Serbinë, që e sheh veten, të kaluarën e tij dhe fqinjët me një verbëri të tillë historike. Rezultati nuk do të ishte çlirimi i Serbisë, por izolimi i saj.
Korrespondenti i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka botuar në numrin e së mërkurën një analizë mbi Listën Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e së dielës në Serbi. Ai thekson se në zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat e larguan nga pushteti presidentin serb të shumë viteve, Aleksandar Vuçiq, dhe ndoshta shënuan edhe fillimin e fundit të karrierës së tij politike, politika e jashtme nuk luajti asnjë rol në fushatë, të paktën jo për fituesen e zgjedhjeve, të ashtuquajturën “Listë Studentore”, dhe elektoratin e saj. Por me pyetjet e politikës së jashtme do të përballet shumë shpejt qeveria e re serbe. “Dhe ajo që dihet për programin e politikës së jashtme të lëvizjes studentore nuk premton asgjë të mirë për rajonin. Në çështjet thelbësore, ky program vazhdon pa ndërprerje nacionalizmin serb të Vuçiqit dhe të Partisë Përparimtare të tij, e cila i humbi zgjedhjet. Është një dokument që synon kthimin pas. Përpjekja për ta zbatuar do të nxiste pashmangshëm konflikte në rajon”, shkruan Martens.
Në vijim të analizës së tij ai nënvizon se që studentët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nuk është befasi. Ky qëndrim është i sanksionuar madje edhe në preambulën e Kushtetutës së Serbisë. Por studentët shkojnë edhe më larg: ata duket se nuk duan ta marrin parasysh as vetë shtetësinë e Kosovës si një fakt të kryer. Programi i tyre tingëllon sikur një qeveri në Beograd të mund të bëjë çfarë të dojë në të gjithë territorin e Kosovës.
Në programin e publikuar në faqen e internetit të lëvizjes studentore thuhet se do të luftojnë për mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë. Mbetet e paqartë se si do të zhvillohet kjo luftë. Për Kosovën flitet vetëm si për “të ashtuquajturën republikë”: “Ne do të kundërshtojmë me vendosmëri pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.”
Me sa duket, synohet madje të zhbëhen edhe arritjet e deritanishme. Duke iu referuar marrëveshjes serbo-kosovare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur më 2023, gjatë qeverisjes së Vuçiqit, me ndërmjetësimin e BE-së, programi thotë: “Ne do t’i ndjekim penalisht të gjithë përfaqësuesit përgjegjës të regjimit për çdo vepër të mundshme penale që lidhet me nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjeve antikushtetuese në dëm të Serbisë.”
Me sa duket, synimi është zhbërja e shtetësisë së Kosovës. Nga këndvështrimi i lëvizjes studentore serbe, në Kosovë nuk ekziston një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike. Në vend të saj, në Prishtinë flitet për “institucione të përkohshme të vetëqeverisjes”. Edhe Universiteti serb në Mitrovicën e Kosovës, në veriun me shumicë të përqendruar serbe, sipas formulimit të studentëve, e ka selinë atje vetëm “përkohësisht”.
Pse përkohësisht?, pyet gazeta gjermane. Sepse duan ta zhvendosin sërish në kryeqytetin Prishtinë? Pa u marrë vesh me qeverinë e Kosovës? Si do të mund të bëhej kjo? Pretendimi i lëvizjes studentore për të ushtruar pushtet vendimmarrës në Kosovë mund të realizohej vetëm përmes një lufte.
Për çështjen e Kosovës, lëvizja studentore mbështetet te “partneriteti tradicional” me Rusinë, me qëllim “zgjidhjen e çështjeve të hapura me interes të përbashkët”. Në përputhje me këtë qëndrim, ajo kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë: “Republika e Serbisë do t’i përmbahet qëndrimit të saj parimor për të mos vendosur masa kufizuese kundër Federatës Ruse.”
Në të njëjtën kohë, synohet një “partneritet i gjithanshëm strategjik” me Kinën, i cili duhet të zgjerohet më tej, veçanërisht në fushën e infrastrukturës dhe të investimeve në teknologjitë e përparuara.
Lëvizja studentore ka një qëndrim të qartë edhe për Izraelin. Pjesa përkatëse e programit nis me fjalinë: “Populli ynë e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh viktimë e gjenocidit dhe e spastrimit etnik.”
Përfundimi që nxjerrin studentët është ky: “Për rrjedhojë, ne nuk do të bëhemi bashkëfajtorë në përpjekjen sistematike për shfarosjen e popullit palestinez, të cilën Izraeli po e ndërmerr në Rripin e Gazës. Ne do ta shtojmë dërgimin e ndihmave humanitare në Palestinë, për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të zvogëluar numrin e viktimave.”
Në indinjatën e tyre ndaj politikës së Izraelit kundrejt palestinezëve, studentët serbë nuk janë të vetmit në Evropë. Por shtrohet pyetja se sa e besueshme është një indinjatë e tillë kur vjen nga një lëvizje, këndvështrimi i së cilës për historinë dhe krimet e vendit të vet përbëhet kryesisht nga një qasje e verbër, nënvizon Martens.
“Lëvizja që pretendon se populli serb e di se çfarë do të thotë të jesh viktimë e gjenocidit dhe e spastrimit etnik nuk ka thënë asnjë fjalë për varrosjen e kriminelit serb të luftës Ratko Mladiq në Beograd, me nderime ushtarake. Ajo organizoi një tubim nacionalist në përvjetorin e betejës mesjetare të Kosovës, por heshti në përvjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, të kryer nga serbët më 1995. E gjithë kjo dëshmon për botëkuptimin historik të një brezi që ka përvetësuar më shumë nga atmosfera nacionaliste e viteve të sundimit të Vuçiqit sesa është i vetëdijshëm”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Një program zgjedhor nuk është ende politikë. Ndoshta ardhja në pushtet do të sjellë edhe pragmatizëm, parashikon kjo gazetë. Por, nëse ajo që shkruhet në program shndërrohet vërtet në politikë të jashtme, Kroacia, Mali i Zi, Kosova dhe shumica e popullsisë në Bosnjë do të duhet të bashkohen në një formë a në një tjetër kundër një Serbie të tillë.
Këto vende do të duhet të përballen së bashku me një vend që e sheh veten, të kaluarën e tij dhe fqinjët me një verbëri të tillë historike. Rezultati nuk do të ishte çlirimi i Serbisë, por izolimi i saj. (A2 Televizion)