
Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga supersfida ndërmjet Juventusit dhe Milanit, tema e vetme për të cilën flitet te kuqezinjtë është Zlatan Ibrahimovic.
Sulmuesi dëshiron të jetë të dielën në fushën e lojës, megjithatë nuk do të rrezikojë që ta përkeqësojë situatën shëndetësore.
Suedezi po provon me të gjitha mënyrat të jetë në dispozicion të skuadrës. Megjithatë, sipas stafit mjekësor, ai vijon të ndjejë dhimbje në tendinën e Akilit. Ibrahimoviç po stërvitet veçmas skuadrës, me ushtrime të personalizuara për të vlerësuar nëse do të ketë realisht shanse që të luajë.
Në moshën 40-vjeçare, Zlatan nuk është më futbollisti i dikurshëm dhe rikuperimi bëhet gjithmonë e më i vështirë. Në këtë kuadër, vetëm prezenca në ndeshjen kundër Juventusit nuk ia vlen rrezikun edhe sepse sezoni sapo ka nisur. Objektivi më i mundshëm është që Ibrahimoviç të aktivizohet si titullar në sfidën e 28 shtatorit në Champions kundër Atletico Madrid.
Pas ndeshjes me Liverpool-in dhe ngarkesës së madhe fizike, trajneri Pioli po mendon edhe rotacionin. Tonali pritet të luajë nga minuta e parë në vend të Bennacer, ndërsa surpriza mund të jetë aktivizimi i Romagnoli në vend të shtyllës së mbrojtjes, Kjaer. Edhe Florenzi është në balotazh me Saelemaekers,në mënyrë që belgu të ketë mundësi të rikuperojë forcat. (A2 Televizion)