Natë kupash europiane, ajo që sapo përfundoi. Për herë të parë dy kompeticione të ndryshme të UEFA-s luhen në të njëjtën ditë, Europa League dhe e sapolindura Conference League, finalja e së cilës do të luhet në “Air Albania” të Tiranës.
Në turneun më me “peshë”, Europa League, spikati ndeshja midis Leicester dhe Napolit, me italianët që arritën barazimin 2-2, pasi ishin poshtë me dy gola, falë performancës së Osimhen.
Lazio humbi në Stamboll, 1-0, një ndeshje ku turqit patën rastet më të mira, por që u vendos nga një gafë e pafalshme e portierit kuqezi, Thomas Strakosha.

Ndërkohë, Ferencvaros i Myrto Uzunit, kishte një përballje të fortë kundër Bayer Leverkusen, me gjermanët që triumfuan me rezultatin 2-1.
Barazim edhe me PSV Eindhoven dhe Real Sociedad, me lojtarin me origjinë shqiptare Adnan Jonuzaj që shënoi golin e 1-1 provizor. Ndërkohë barazime edhe midis Marsejës dhe Lokomotivës së Moskës dhe Eintracht dhe Fenerbahce.
Në Conference League, dy ndeshjet kryesore ishin ato të Romës e CSKA e Sofjës dhe Rennes kundër Tottenham.
Ekipi i Mourinjos shpartalloi bullgarët 5-1, me Marash Kumbullën që luajti minutat finale. Edhe pse me goleadë, tekniku portugez nuk ndryshon kurrë, dhe pas ndeshjes deklaroi se ishte “i pakënaqur me lojën” e ekipit. Ndërkohë, paqe midis Rennes dhe ekipit të Harry Cane, që barazuan 2-2. (A2 Televizion)