
Pedagogu i ekonomisë dhe aktivisti i lëvizjes “Alternativa”, Rezart Prifti, ishte i ftuar në “Ditari” në A2 për të folur për ndikimin e koronavirusit në ekonomi, turizëm dhe politikë.
Sipas Priftit, “kur të vijë shtatori dhe tetori ne do ta dallojmë vërtet krizën ekonomike në Shqipëri”.
“Ka 4 muaj që nuk janë marrë masa për ekonominë, janë hapur vetëm kantiere që kanë të bëjnë më shumë me aspektin e marketingut”, tha Prifti.
Kritika të ashpra për turizmin shqiptar: “Dramë e madhe. Ka keqmenaxhim të frikshëm të turizmit, me një ministri komplet jashtë funksionit. Ai ministër nuk e njeh fare procesin. E dyta, ka një problem të madh me operatorët turistikë shqiptarë. Turizmi shqiptar ka dëgjuar lloj-lloj fjalësh të këqija dhe ky ishte shansi më i mirë për operatorët që të përgënjeshtronin këto fjalë. Dështuan në mënyrë të turpshme. Turizmi ka qenë pa infratrukturë dhe operatorët kanë qenë me poture nëpër këmbë. Në Sarandë u shkëlye shëtitorja në mes të sezonit, në Vlorë do 3 orë të hysh e 3 të dalësh. Në Dhërmi ka erë fekale, ndërsa në Palasë ka vetëm një resort. Ndërkohë, çmimet janë si në Mikonos. Mbi të gjitha, mungesë njerzillëku nga operatorët. Shërbeju klientëve dhe mos i lër 3 orë për të ngrënë një pjatë makarona”.
Në lidhje me lëvizjen “Alternativa”, Prifti tha: “Arritja më e madhe e Edi Ramës është se i ka mbushur mendjen shqiptarëve që ekziston opozita. Xhaketat e vjetra po dekompozohen dhe kanë probleme të vetat, edhe me fëmijët e tyre kanë probleme. Shoqëria na ka nxitur neve për të bërë një formacion politik. Po punojmë që të bëjmë një front të madh të tretë, me të rinj të mirë e të arsimuar që dinë se çfarë është puna dhe meritokracia. Ka shumë Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Korça e Fieri. Ne vetëm kërkojmë rregulla loje, pasi kjo që u arrit vetëm Reformë Zgjedhore nuk ishte”. (A2 Televizion)