Projektbuxheti 2021, deficiti kap vlerën e 870 milionë eurove, rritja ekonomike 5.5%

Nga A2 CNN
20 Tetor 2020, 12:28 | Ekonomi
Projektbuxheti 2021, deficiti kap vlerën e 870 milionë eurove, rritja

Ekonomia shqiptare këtë vit do të tkurret me 6.1%, papunësia do të arrijë në 13.9% dhe borxhi publik do ta mbyllë vitin në nivelin e 80.9%. Është ky parashikimi i ri që bën vetë Ministria e Financave, duke rishikuar në përkeqësim të gjithë treguesit kryesorë të buxhetit të këtij viti.

Por edhe pse kriza nuk ka përfunduar dhe pandemisë nuk i dihet fundi, për vitin e ardhshëm, që është edhe vit elektoral, qeveria është tejet optimiste. Në projektbuxhetin 2021, parashikohet një rritje ekonomike prej 5.5%.

Qeveria merr zotimin që vitin e ardhshëm të mbledhë 478 miliardë lekë nga paratë e taksapaguesve, ose 10.6% më shumë se niveli i këtij viti. Për sa u përket shpenzimeve, ato do të synojnë rekordin e 587 miliardë lekëve, apo 4.7 miliardë eurove.

Thuajse 1/5 e buxhetit do të shkojë për investime publike, niveli më i lartë ndonjëherë, duke përfshirë këtu programin e rindërtimit dhe projektet e shpallura nga qeveria, si tuneli i Llogorasë.

Diferenca shumë e lartë mes të ardhurave dhe shpenzimeve do të detyrojë qeverinë të marrë borxh në një vit elektoral, me deficitin që pritet të kapë vlerën e 108 miliardë lekëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos