
Pesë propozimet e Partisë Demokratike janë të zbatueshme. Ekspertët e ekonomisë shpjegojnë se pikat e paraqitura nga opozita pas tërmetit të 26 nëntorit janë populiste, por ofrojnë lehtësi për biznesin dhe janë të aplikueshme në rast se ka vullnet mes palëve dhe krijohen hapësira nga buxheti i shtetit.
“Mund t’i vija një emër të përbashkët propozimeve që janë propozime të natyrës populiste që politika ka në fokusin e vet dhe nëse meritojnë vëmendje në kuptimin që duhen parë veçmas në realizimin e tyre dhe njëkohësisht duhet kuptuar mundësia e aplikimit. Për secilin aplikim që ofron Partia Demokratike ka diçka racionale që do ta bënte biznesin të interesuar që të mos largohet nga rajoni ku operon”, deklaroi eksperti për ekonominë Zef Preçi.
Sipas Zef Preçit, pasojat e tërmetit nuk do të kapërcehen lehtë dhe efektet negative në ekonominë e vendit pritet të reflektohen për një periudhë 3 deri në 5 vjet.
“Efektet e tërmetit shtrihen jo vetëm mbi familjarët dhe nivelin e tyre të mirëqenies, por edhe mbi biznesin në rajonin Tiranë-Durrës dhe dihet që ky rajon është më intesivi për sa i takon aktiviteteve ekonomike. Këto efekte do të shtrihen në një afat 3-5 vjet”, shtroi Preçi.
Vlerësimet në terren nuk kanë përfunduar dhe ende nuk ka një shifër zyrtare se sa do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rindërtimi, proces i cili pritet të nisë zbatimin nga 1 janari i vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)