
Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka depozituar këtë të martë propozimet e tij për ndryshimet statutore në partinë ku ai bën pjesë.
Në Absolut 4, Fatbardh Kadilli sqaroi më në detaje propozimet e tij. Ai theksoi se ndryshimet statutore çmontojnë vulën e kryetarit, siç e quajti ai dhe forcojnë votën e anëtarit.
“Propozimet nuk mund të shihen të shkëputura nga njëra-tjetra. Thelbi që e zvogëlon pushtetin e kryetarit është një, kandidatët për deputet, kandidatët për kryetar bashkie dhe drejtuesit e partisë në çdo nivel, zgjidhen nga anëtarësia pa u filtruar as kandidaturat as nga kryetari. Kryetari i partisë në qendër nuk ka asnjë autoritet në propozimin tim se kush zgjidhet kryetar dege, kush zgjidhet kryetar grupseksioni, merr njoftim nga dega që sot zgjodhën këtë person.
Ndryshimet statutore që unë propozoj garantojnë primare për çdo funksion drejtimi në parti dhe për çdo kandidim që ne kemi në garën me kundërshtarin. Nëse këto zgjidhen me parimin një anëtar një votë dhe me kandidatura që nuk i filtron as kryetari dhe as ndonjë komision tjetër, me të drejtën e vetshpalljes së kandidaturës. Atëherë, roli i kryetarit në zgjedhjen e trupës politike zerohet, forcohet vota e anëtarit, çmontohet vula e kryetarit dhe forcohet vota e anëtarit.
Propozimi im ka edhe një gjë shumë të rëndësishme. Administrimi i partisë është një çështje që nuk i përket kryetarit, por një këshilli të urtës, të cilët do të zgjidhen nga Këshilli Kombëtar”, u shpreh në Absolut 4 Fatbardh Kadilli. (A2 Televizion)