
Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, ka vendosur të lërë Parisin, ku ka jetuar dhe punuar për dekada, për t’u vendosur në Shqipëri.
I pyetur nga gazetarja e A2 CNN, Luela Myftari, nëse i sheh sot shqiptarët më të mirë, shkrimtari përgjigjet: “Disa herë besoj se jemi, disa herë jo. Por koha do ta tregojë”.
Sa për vendimin për t’u rikthyer në Atdhe, ai shton: “Nuk ka qenë një zgjedhje e atypëratyshme. Ka qenë një zgjedhje e ngadaltë, e padallueshme mirë. Kështu ka qëlluar. Më është dukur se këtu do ta them më mirë atë që mund të thosha për çdo rast, për rastet e lumtura ose të dëshpëruara të jetës. Në të gjitha rastet më është dukur se do të isha i përshtatshëm në këtë formë që jam”.
Në intervistën ekskluzive për A2 CNN, gjeniu i letrave shqipe rrëfen se lexon vepra nga më të ndryshme të autorëve të huaj, dhe pranon se po kaq shumë autorë kanë ndikuar në formimin e tij si shkrimtar.
“Sot Kadare lexon gjithçka që mund të lexojë një lexues, gjithkund, në çdo gjuhë, në çdo popull në çdo vend. Janë shumë, dhe është lumturi për ne që janë shumë”, thotë ai. (A2 Televizion)