
Sali Berisha mblodhi për herë të parë për vitin 2026 deputetët, duke u bërë të qartë se çfarë duhet të kenë kryefjalë të axhendës së tyre.
Dosjes e SPAK ishin kryefjalë e ligjërimit të Berishës para deputetëve, ku shtoi tonet e akuzës ndaj Edi Ramës duke thënë këtë herë se kryeministri po bën grusht shteti pas moslejimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve për imunitetin e Belinda Ballukut.
“Si asnjëherë në historinë e këtij vendi dhe të parlamentit, kryehajduti i kombit ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim”.
Për Sali Berishën bllokimi i procedurave parlamentare bëhet për shkak se Edi Rama, sipas tij është pjesë e kësaj dosje dhe dosjes së AKSHI-t, shkruan A2 CNN.
“Në të dy dosjet, i di ato ai. Ndaj dhe i them këto që shqiptarët ti kenë të qarta se çfarë rreziku përbën ky i papërgjegjshëm, kreu i organizatës kriminale për Shqipërinë dhe vendin. Është kapur në qark, nuk ka më. Ai po mbron veten e tij se dhe vaj të nxehtë do të ju hidhte në vesh në mesnatë, po të shpëtonte. Por nuk shpëton dot. Jo. E ka shumë të qartë”.
Sipas Berishës, kreu i ekzekutivit ka nisur edhe lobimet, por e paralajmëron se asgjë nuk do të mund ta shpëtojë.
Në 22 janar, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankesën e qeverisë për kërkesën e parë të SPAK për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërsa në datë 28 janar Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka vendosur mbledhjen e Këshillit të Mandateve për kërkesën e dytë të SPAK për heqjen e imunitetit të saj. (A2 Televizion)