
Ndryshimi i ligjit të arsimit nuk do të shtyhet më, por duhet të draftohet dhe të miratohet brenda këtij viti. Në Konferencën e Rektorëve, Kryeministri Edi Rama u kërkoi drejtuesve të universiteteve që të jenë pjesë e grupit të punës për të reflektuar shqetësimet apo konstatimet e bëra ndër vite.
“Është koha për të rivizituar Ligjin e Arsimit të Lartë. Nuk bëhet fjalë për një përmbysje si në rastin kur u shkrua ligji, por për korrektime. Do të jetë e mundur që ta bëjmë këtë në një kohë të arsyeshme dhe ma ha mendja që nuk do të presim sesionin tjetër të Parlamentit për ta përgatitur bazën e ndryshimeve. Pastaj procedura parlamentare mund të jetë në fund të këtij sesioni ose në fillim të sesionit tjetër”, tha Rama.
Studentët, përveç kampusit të Tiranës, pasi të ndërtohet, do të mund të akomodohen edhe në kampusin studentor të Durrësit, për të cilin pritet të hapet gara. Sipas Ramës, të studiosh në Tiranë dhe të jetosh në Durrës, me ndihmën e trenit, është një mundësi reale, ndonëse edhe ky është një tjetër projekt që pritet të ndërtohet.
Financimi dhe akreditimi ishin dy çështje të tjera që u ngritën me shqetësim nga Kryeministri Rama, duke kërkuar reflektim. Nga kjo mbledhje e Konferencës së Rektorëve, regjia e Kryeministrisë nuk përcolli zërin e asnjërit prej tyre. (A2 Televizion)