Qeveria australiane: Djokovic nuk është i burgosur

Nga A2 CNN
7 Janar 2022, 16:40 | Sporte të tjera
Qeveria australiane: Djokovic nuk është i burgosur

Izolimi i Novak Djokovic në një hotel për emigrantë në Melburn, pasi nuk ka kryer dy dozat e vaksinës, sipas ligjeve në Australi, ka bërë që çështja të marrë përmasa ndërkombëtare. Familjarët e tenistit akuzuan se Nole po mbahet i burgosur, deklarata të hedhura poshtë nga ministrja e Brendshme, Karen Andrews.

“Djokovic nuk është i burgosur, madje ai mund të largohet nga Australia kur të ketë dëshirë. Nëse kërkon të kthehet, autoritetet e kufirit do ta ndihmojnë që procedura të jetë më e lehtë”, tha ajo.

https://a2news.com/2022/01/06/i-refuzohet-viza-dhe-do-deportohet-ceshtja-e-djokovic-merr-permasa-politike/

Ishin pikërisht autoritetet kufitare që e mbajtën tenistin 8 orë të izoluar në aeroport dhe më pas i refuzuan vizën, për shkak se ai nuk ka kryer vaksinimin e detyrueshëm.

Sipas Shoqatës së Tenistëve, e cila po monitoron situatën, “Djokovic është mirë” teksa “po mbahen kontakte të afërta me autoritetet, familjarët, avokatët dhe organizatorët e Australian Open”.

Edhe pse opinioni është i ndarë, rregullat janë të qarta. Mary Crock, profesoreshë e drejtësisë, paralajmëroi se për shkeljen e bërë, Djokovic rrezikon që t’i ndalohet deri në tre vjet hyrja në Australi. Sipas saj, “ligjet lokale janë shumë strikte kur bëhet fjalë për politikat e emigracionit dhe vizat e parregullta”.

https://a2news.com/2022/01/05/djokovic-ngec-ne-aeroport-nuk-i-lejohet-hyrja-ne-australi/

Ndërkohë, shteti australian i anuloi vizën edhe tenistes çeke, Renata Voracova. As ajo nuk i ka kryer vaksinat dhe ashtu si në rastin e Djokovic, kishte paraqitur një dokument, sipas të cilit, e ka kaluar Covid-19 në gjashtë muajt e fundit.

Edhe për Voracovan, argumenti është cilësuar i pamjaftueshëm dhe tenistja u transferua në izolim në hotelin e emigrantëve ku qëndron edhe Novak Djokovic. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos