
Tetë persona, mes tyre një fëmijë dhe pesë efektivë të policisë palestineze, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës. Sulmet janë regjistruar në Khan Younis, në jug të enklavës, dhe në qytetin e Gazës, në veri.
Sipas burimeve mjekësore dhe spitalore, pesë persona u vranë në Khan Younis, ndërsa tre të tjerë humbën jetën në qytetin e Gazës. Numri i viktimave u konfirmua edhe nga Mbrojtja Civile në Gaza, e drejtuar nga Hamasi.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite deklaroi se operacionet kishin në shënjestër një person të cilin e cilësoi si terrorist në jug të enklavës, si dhe disa objektiva të tjera në veri. Sipas saj, rezultatet e sulmeve janë ende duke u shqyrtuar.
Ngjarja vjen në një kohë kur tensionet në Rripin e Gazës janë përshkallëzuar, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur një vit më parë.
Izraeli akuzon Hamasin se po riarmatoset dhe po kryen sulme në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit. Ndërkohë, Hamasi i mohon këto pretendime dhe akuzon palën izraelite për shkeljen dhe minimin e marrëveshjes së paqes.
(A2 Televizion)