“Tërmet” në politikën serbe! Dorëhiqet kryeministri Vuçeviç, mes protestave antikorrupsion

Nga Rosalba Bejdo
28 Janar 2025, 14:39 | Ballkani

Mes zemërimit publik e protestave antikorrupsion që kanë mbërthyer Serbinë prej disa muajsh, kryeministri Millosh Vuçeviç njoftoi dorëheqjen nga posti këtë të martë. Ai bëhet zyrtari më i lartë që largohet që prej shpërthimit të protestave masive të nxitura nga shembja e një strehe betoni në një stacion treni në Novi Sad.

Ngjarja ku humbën jetën 15 persona ndodhi pasi ky stacion u rinovua dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium kompanish, i udhëhequr nga Kina. Protestuesit fajësojnë korrupsionin e mbarëpërhapur në qeveri për tragjedinë, por autoritetet i kanë mohuar akuzat. Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët në Beograd, ai tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka pranuar vendimin e tij. 

“Pas sulmit ndaj protestuesve mbrëmjen e kaluar në Novi Sad, mora vendimin e parevokueshëm për t’u dorehequr nga pozicioni i kryeministrit të Republikës së Serbisë. Pata një takim të gjatë me Presidentin Vuçiç këtë mëngjes dhe ai e pranoi vendimin dhe argumentat e mia”, deklaroi Vuçeviç.

Me këtë veprim, sipas Vuçeviç, plotësohen edhe kërkesat politike të një pjese të demonstruesve më ekstremë: “Le të çojë kjo në qetësimin e situatës dhe në kthimin e dialogut politik e shoqëror”.

Vuçeviç theksoi po ashtu se në protesta ka ndërhyrje nga jashtë, edhe pse pa specifikuar se për çfarë ose kë konkretisht e ka fjalën. Bashkë me Vuçeviç u dorëhoq edhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriç. Vendimi u njoftua një ditë pasi Vuçiç njoftoi planin për të riformatuar qeverinë në mënyrë urgjente, mes presionit të shtuar nga manifestuesit.  

Të hënën, demonstruesit jetësuan një bllokadë 24-orëshe në segmente kyçe të qarkullimit në kryeqytetin Beograd. Fermerë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protestat disajavore. Edhe pas vendimit të Vuçeviçit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi thanë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe paralajmëruan protesta të reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos