Aleanca e Mekës, Britania apo…Kush mund ta mbrojë Arabinë Saudite nga sulmet e Huthëve?

Nga Xhevahir Qardaku
3 Nëntor 2026, 18:19 | Bota

Arabia Saudite po përballet me një kërcënim që po vjen nga qielli dhe po shtrihet nga aeroportet tek objektet energjetike.

Houthit, të lidhur me Iranin, po përdorin raketa balistike dhe dronë për të goditur objektiva në territorin saudit, ndërsa sulmet kanë prekur edhe trafikun ajror dhe infrastrukturën strategjike.

Në këtë situatë, Riadi po kërkon ndihmë nga aleatët, por pyetja është: kush është realisht i gatshëm të hyjë në mbrojtje të Arabisë Saudite?

 “Arabia Saudite ka një mbrojtje ajrore të sofistikuar, por sofistikimi nuk garanton mbrojtje të plotë. Sfida është mbrojtja e një vendi shumë të madh nga kërcënime të ndryshme njëkohësisht: raketa balistike, raketa të lundrimit që fluturojnë ulët dhe dronë relativisht të vegjël.”

Problemi për Arabinë Saudite është edhe përmasa e territorit. Infrastrukturat energjetike, aeroportet dhe objektivat ushtarake janë të shpërndara në distanca të mëdha, duke e bërë të vështirë krijimin e një mburoje të padepërtueshme. Dhe pikërisht këtë dobësi po përpiqen ta shfrytëzojnë Houthit, të cilët nuk kanë nevojë që çdo sulm të jetë i suksesshëm: mjaftojnë disa goditje për të ndërprerë fluturimet, për të dëmtuar infrastrukturën dhe për të rritur kostot

“Arabia Saudite ka një territor shumë të madh, kufij të gjatë dhe infrastrukturë të shpërndarë. Këto raketa dhe dronë që fluturojnë ulët mund të jenë më të vështirë për t’u zbuluar herët. Interceptimi mund të parandalojë dëmtimin e infrastrukturës, por mbetjet që bien përsëri mund të shkaktojnë viktima civile.”

Në këtë përplasje, Houthit nuk po synojnë vetëm objektiva ushtarake. Aeroportet, portet dhe infrastruktura e naftës janë pjesë e një lufte që synon të godasë ekonominë dhe besimin te stabiliteti i mbretërisë. Sulmi ndaj aeroportit të Riadit, ku sipas materialit humbën jetën 13 persona, ishte goditja më vdekjeprurëse në Arabinë Saudite në më shumë se një dekadë.

 “Një sulm ndaj aeroportit prek kompanitë ajrore, pasagjerët dhe bizneset. Pezullimi i fluturimeve, mbylljet parandaluese dhe pasiguria mund të krijojnë kosto edhe përtej dëmit fizik. Objektivi më i gjerë është të dëmtohet besimi te stabiliteti i Arabisë Saudite dhe të bëhet ndërhyrja e saj në Jemen gjithnjë e më e kushtueshme.”

Por Houthit nuk janë më thjesht një forcë lokale e armatosur. Ata disponojnë raketa balistike, raketa të lundrimit, dronë dhe armë detare, duke krijuar mundësinë për të goditur objektiva shumë përtej Jemenit. Sipas analistit, mbështetja iraniane ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tyre, edhe pse kjo nuk do të thotë se Teherani drejton çdo sulm të Houthive.

 “Raketat balistike ofrojnë shpejtësi dhe rreze veprimi, raketat e lundrimit krijojnë sfida për zbulimin në lartësi të ulëta, ndërsa dronët ofrojnë një mënyrë relativisht të lirë për të mbajtur presionin. Houthit duhet të kuptohen si një lëvizje e armatosur me kapacitete të konsiderueshme raketore dhe dronësh, dhe jo thjesht si një kryengritje e armatosur.”

Dhe përgjigjja e aleatëve po merr formë. Britania ka vendosur të dërgojë avionë luftarakë Typhoon për misione mbrojtëse mbi Arabinë Saudite. Londra thotë se avionët do të mbrojnë qytetet dhe infrastrukturën kritike, por nuk do të kryejnë sulme kundër Houthive.

 “Sot kam informuar Parlamentin se do të dislokojmë Forcat Ajrore Mbretërore me avionët Typhoon për të kryer operacione mbrojtëse kundër përshkallëzimit të papranueshëm të Houthive. Kur aleatët tanë kërkojnë ndihmë, Britania është një vend që përgjigjet.”

Turqia, ndërkohë, nuk parashikon dërgimin e trupave në luftime kundër Houthive, por ka deklaruar se do të vlerësojë kërkesat për mbështetje ushtarake nga Arabia Saudite. Marrëveshja e Mbrojtjes së Mekës, e nënshkruar në gusht mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, parashikon që një sulm i armatosur ndaj njërit prej vendeve të konsiderohet sulm ndaj të trejave.

 “Siç e dini, sot u thirrëm në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit Strategjik Politiko-Ushtarak, në dritën e zhvillimeve aktuale. Shqyrtuam në mënyrë të hollësishme, nga çdo këndvështrim, se çfarë mbështetjeje mund të ofrohet për çështjen e Jemenit, veçanërisht për mbrojtjen e Arabisë Saudite. Nga ana tjetër, diskutuam se çfarë hapash mund të ndërmerren për zgjidhjen e konfliktit përmes mjeteve paqësore dhe dialogut. Arabia Saudite po tregon një qasje vërtet konstruktive për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Patëm mundësinë të dëgjonim edhe një herë qëndrimin e tyre dhe të ndanim pikëpamjet tona. Natyrisht, presidenti ynë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur një vullnet të qartë për këtë çështje dhe vendimet që morëm këtu pasqyrojnë pikërisht këtë qëndrim. Siç e përmenda, diskutuam se çfarë mund të bëhet në aspektin ushtarak, teknik dhe institucional, lidhur me drejtimin që kemi zgjedhur dhe institucionalizimin e Aleancës së Mbrojtjes së Mekës, si dhe mënyrën se si mund të trajtohen çështjet aktuale.”

Edhe Egjipti po hyn në këtë ekuacion. Presidenti Abdel Fattah al-Sisi ka deklaruar se Kajro është gati të marrë masa për të mbrojtur Arabinë Saudite, por për një përfshirje ushtarake kërkohet autorizimi i Parlamentit egjiptian. Një rol i drejtpërdrejtë i ushtrisë së Egjiptit do të rriste ndjeshëm peshën ushtarake të koalicionit përballë Houthive.

 “Në përputhje me udhëzimet e Mbretit Salman dhe të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, ne do të ndërmarrim çdo masë për t’ju mbrojtur dhe për t’ju dalë në mbrojtje. E di se kjo kërkon miratimin e Parlamentit egjiptian dhe shpresoj që Parlamenti të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme për të dhënë autorizimin, nëse na kërkohet.”

Pra, Arabia Saudite nuk është vetëm përballë Houthive. Është në qendër të një fronti që po zgjerohet dhe që lidh Jemenin, Iranin, sigurinë e Gjirit dhe rrugët globale të energjisë e të transportit. Britania ofron mbrojtje ajrore, Turqia po shqyrton mbështetjen dhe Egjipti mund të autorizojë përfshirje ushtarake. Por pyetja mbetet nëse kjo mburojë e re do të mjaftojë për të ndalur raketat dhe dronët e Houthive, apo nëse konflikti po shkon drejt një përshkallëzimi shumë më të madh rajonal.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos