
Teherani ka përshkallëzuar retorikën kundër Shteteve të Bashkuara, duke vendosur postera gjigantë me mesazhe kërcënuese ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.
“Do ta vrasim Trumpin”, shkruhet në një billboard të madh në sheshin Enghelab, një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit iranian. Në poster, presidenti amerikan paraqitet pas hekurave, me kokën të ulur.
Një tjetër poster paraqet Trumpin, zëvendëspresidentin JD Vance, të dërguarin special Steve Witkoff dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me fytyra të gjakosura dhe rroba të grisura, përpara flamujve amerikanë dhe izraelitë të shqyer.
Ndërkohë, dhjetëra qytetarë janë mbledhur në shesh, duke valëvitur flamuj të kuq dhe duke mbajtur pankarta me mesazhin: “Do të ketë gjak”.
Protestuesit kanë bërë thirrje për hakmarrje për udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, i vrarë më 28 shkurt nga sulmet ajrore amerikano-izraelite në Teheran.
Që prej nisjes së luftës, në kryeqytetin iranian janë shfaqur vazhdimisht postera dhe vepra artistike që vënë në shënjestër Trumpin dhe bëjnë thirrje për hakmarrje. (A2 Televizion)