Shkollat do të mbyllen të hënën në ishullin ikonik grek të Santorinit pas një serie prej 200 tërmetesh që tronditën destinacionin popullor turistik ditët e fundit.
Sipas mediave të huaja, autoritetet kanë këshilluar gjithashtu banorët që të shmangin tubimet e mëdha në ambientet e brendshme dhe të largohen nga portet detare.
Shkollat do të mbyllen gjithashtu në ishujt e afërt të Egjeut, Anafi, Ios dhe Amorgos, thanë autoritetet të dielën, shkruan A2 CNN.
Midis të premtes dhe të dielës, më shumë se 200 tërmete u regjistruan midis Santorinit dhe Amorgos, duke përfshirë një tërmet me magnitudë 4.6 të shkallës Rihter, më i fuqishmi deri më tani, sipas autoriteteve.
Santorini nuk është ‘i huaj’ për tërmetet, por rreziku i lëkundjeve nuk i ndalon 3.4 milionë njerëz të vizitojnë ishullin çdo vit, shumë më tepër se 20,000 banorët e Santorinit.
Destinacioni i pushimeve, i famshëm për kalderën e tij në formë gjysmëhëne, e cila u krijua nga një nga shpërthimet më të mëdha vullkanike të njohura rreth 3600 vjet më parë, është quajtur "ishulli i Instagramit" i Greqisë për shkak të ‘dritës së artë fotozhenike’ dhe peizazhit.
Një komitet urgjence u mblodh të dielën për të vlerësuar rreziqet e shkaktuara nga lëkundjet e fundit, ndërsa një takim tjetër është planifikuar për të hënën.
Santorini është pjesë e Harkut Vullkanik Helen, një nga fushat vullkanike më aktive në Evropë, e cila ka parë më shumë se 100 shpërthime gjatë 400,000 viteve të fundit.
Autoritetet thanë se aktiviteti aktual sizmik është për shkak të lëvizjeve tektonike që nuk duken të lidhura me aktivitetin vullkanik. Në mënyrë të ngjashme, rritja e aktivitetit sizmik në 2011 dhe 2012 nuk rezultoi në ndonjë shpërthim, vunë në dukje ata.
Tërmeti i madh më i fundit në Santorini goditi më 9 korrik 1956. Tërmeti me magnitudë 7.5 u pasua nga një cunami 25 metra i lartë.
Të paktën 53 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën, ndërsa të paktën një e treta e shtëpive u shembën atë kohë, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)