Champions League/ Vëmendja te Atletico-Bayern, në fushë dhe Barcelona e Inter

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2026, 13:11 | Futboll

Uefa Champions League rikthehet këtë të martë me ndeshje mjaft interesnate. Nëntë përballje që disa marrin dhe më shumë vëmendje për shkak të historisë, statistikave dhe rekordeve që mund të thyhen.

Një nga duelet më të forta të mbrëmjes është Bayern-Atletiko. Klubi gjerman ka fituar katër nga tetë përballjet europiane me spanollët, që numërojnë dy fitore. Megjithatë, madrilenët kanë një statistikë interesante: nuk kanë humbur asnjë nga tri ndeshjet e zhvilluara në shtëpi kundër bavarezëve. Vëmendja do të jetë te Harry Kane, i cili ka shënuar në 10 ndeshje radhazi në Champions League. Një tjetër gol do ta barazonte rekordin e Cristiano Ronaldos, me 11 takime radhazi duke gjetur rrugën e rrjetës.

Barcelona kërkon të rikthehet te fitorja pas humbjes me PSG-në, ndërsa Aston Villa vjen me tri fitore në tri ndeshjet e para të fazës së ligës, shkruan A2.

Lamine Yamal, në moshën 19-vjeçare, ai ka realizuar 13 gola në Champions League përpara se të mbushë 20 vjeç, duke barazuar rekordin e Kylian Mbappe. Një gol tjetër do ta vendoste të vetëm në krye të kësaj liste. Barcelona ka gjithashtu një statistikë mbresëlënëse, 15 ndeshje radhazi pa humbje në shtëpi ndaj kundërshtarëve anglezë në kompeticionet europiane.

Interi kërkon të reagojë pas humbjes në derbin e Milanos, por transferta në Roterdam nuk është aspak e lehtë.Feyenoord nuk ka humbur në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi në fazën e grupeve të Champions League kundër skuadrave italiane. Nga ana tjetër, Interi ka 14 ndeshje radhazi pa humbje ndaj ekipeve holandeze në kompeticionet europiane.

PSG udhëton në Spanjë si një nga skuadrat më në formë të këtij edicioni. Kampionët francezë kanë fituar të tria ndeshjet e para dhe kanë shënuar plot 14 gola. Përballë do të kenë një Villarreal që kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë për të ndalur ecurinë e parisienëve.

Emocionet dhe spektakli janë të garantuara sa herë që bëhet fjalë për skenën e madhe të Champions League. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos