Kumbaro: Rriten bursat për studentët në nevojë, mbështetja shtrihet edhe në Master

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2026, 13:00 | Politikë

Kumbaro: Rriten bursat për studentët në nevojë,

Buxheti i vitit 2027 parashikon 1.25 miliardë lekë më shumë për arsimin e lartë. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se bursa për studentët nga familjet në nevojë do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj dhe do të vijojë edhe gjatë studimeve Master.

Në Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Kumbaro tha se paketa e mbështetjes do të përfshijë mbi 11 500 studentë: 5 900 nga familjet në nevojë, 5 500 me mesatare 9-10 dhe 177 studentë në degët prioritare, të cilët përfitojnë 50 mijë lekë në muaj.

“Kemi vendosur një rritje të buxhetit për zërin e arsimit të lartë. Arsimi i lartë merr rritjen më të madhe në vlerë në buxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Arsimit, me shtesë +1,25 miliard lekë më shumë, kryesisht për paketën e mbështjetjes studentore, ku shtojmë mbështetjen direkte për studentët me nevoja sociale, rrisim bursat që ata marrin duke shtuar edhe një bonus qiraje ose një shtese brenda pagesës së përmuajshme që janë të lirë ta përdorin për çfarë kanë më së shumti nevojë, nga 10 000 lekë të reja në muaj në 25 000 lekë të reja në muaj", tha Kumbaro.

Për herë të parë, mbështetja për studentët në programet prioritare do të zgjerohet edhe në ciklin e dytë të studimeve.

"Në vitin 2027, me shtimin e buxhetit për arsimin e lartë, sigurohen: Rritja e bursës për studentët nga familjet në nevojë, e cila rritet nga 10.000 në 25.000 lekë në muaj, pra rreth 275 euro, dhe për herë të parë vijon edhe gjatë studimeve Master. Kjo paketë mbështetje suporton mbi 11,500 studentë në tri kategori”, theksoi ajo.

Gjithashtu, janë parashikuar 375 milionë lekë grante për përmirësimin e akomodimit në konvikte, ku strehohen rreth 7 000-7 500 studentë në Tiranë dhe qytetet e tjera universitare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos