
Greqia ka miratuar një nga programet më të mëdha të armatimit të viteve të fundit me vlerë deri në 3.5 miliardë euro, duke blerë nga Izraeli një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore me shumë shtresa, të quajtur "Mburoja e Akilit". Sistemi do të mbrojë vendin nga raketat balistike, sulmet ajrore dhe dronët, ndërsa pritet të jetë plotësisht operacional brenda 35 muajve.
Paketa përfshin gjithashtu blerjen e dronëve amerikanë dhe izraelitë, tre avionëve ushtarakë transportues C-390 të prodhuesit brazilian Embraer, si dhe 10 mini-nëndetëse britanike për operacione speciale. Autoritetet greke bëjnë të ditur se të paktën 25% e sistemit të ri do të prodhohet nga industria vendase.
“Vendi ka hyrë në një epokë të re, në një realitet të ri. Bëhet fjalë për një seri sistemesh armësh që krijojnë shtresa të mbivendosura mbrojtjeje mbi të gjithë territorin grek, të integruara në një sistem të unifikuar komandimi dhe kontrolli, ku përfshirja e industrisë greke të mbrojtjes tejkalon vlerën prej 700 milionë eurosh”, u shpreh Nikos Dendias.
Athina synon të investojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për modernizimin e forcave të armatosura, duke përfshirë edhe blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara. Greqia shpenzon rreth 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, kryesisht për shkak të rivalitetit të vazhdueshëm me Turqinë dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me Izraelin. (A2 Televizion)