BE hedh poshtë akuzat e Daçiç: Serbia dhe Kosova e nënshkruan marrëveshjen e 2013-ës me vullnet të lirë

Nga A2 CNN
30 Korrik 2025, 22:49 | Ballkani

BE hedh poshtë akuzat e Daçiç: Serbia dhe Kosova e

Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili akuzoi Brukselin se ka “mashtruar” Serbinë në nënshkrimin e Marrëveshjes së vitit 2013 me Kosovën.

Në një përgjigje për televizionin N1, BE-ja i ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se marrëveshja u arrit me vullnet të lirë dhe me vetëdije të plotë nga të dyja palët – si Serbia, ashtu edhe Kosova.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia i kanë hyrë marrëveshjeve plotësisht me vetëdije dhe me vullnetin e tyre të lirë”, thuhet në reagimin e BE-së, duke mohuar kështu pretendimet e Daçiçit, shkruan A2 CNN.

Brukseli ka nënvizuar se marrëveshjet e nënshkruara mbeten në fuqi dhe ka kërkuar që të dyja palët të angazhohen në mënyrë aktive për zbatimin e tyre.

“BE-ja pret që të dyja palët të kontribuojnë, përmes deklaratave dhe veprimeve të tyre, në një atmosferë të favorshme për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, thuhej më tej në reagimin e BE-së.

Pavarësisht mungesës së takimeve në nivel të lartë politik, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se dialogu nuk është ndërprerë. Ata kujtojnë se në muajin qershor janë zhvilluar takime të negociatorëve teknikë.

“Dialogu vazhdon përmes takimeve të rregullta dypalëshe dhe trepalëshe në nivelin e kryenegociatorëve dhe në nivelin teknik,” thuhet më tej në deklaratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos