Ambasadori i ri i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Dragan Shutanovac, i dorëzoi presidentit amerikan, Donald Trump letrat kredenciale në Shtëpinë e Bardhë dhe e ftoi atë për një vizitë në Beograd.
Në një postim në rrjetet sociale, Shutanovac tha se gjatë takimit me Trumpin është diskutuar për mundësinë e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në fusha si: energjia, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe mbrojtja, shkruan A2 CNN.
“Në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, biseduam për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. I kujtova presidentit Trump se asnjë president amerikan nuk e ka vizituar Serbinë që nga viti 1980 – dhe e ftova ta ndryshojë këtë”, shkroi Shutanovac.
Sipas tij, mesazhi i këtij takimi ishte i qartë: “Ta bëjmë partneritetin strategjik serbo-amerikan madhështor sërish” – një shprehje që i referohet sloganit të njohur të fushatës së Trumpit.
Ambasadori Shutanovac theksoi se Serbia dhe SHBA-ja po shqyrtojnë mundësi bashkëpunimi në disa drejtime me rëndësi strategjike. (A2 Televizion)