BE i vë kushte Serbisë? Dialogu do të lidhet me zbatimin e marrëveshjes me Kosovën

Nga Rosalba Bejdo
1 Dhjetor 2023, 13:52 | Ballkani

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian do të propozojnë që në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet urgjentisht zbatimi i marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha detyrimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

Propozimi pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për çështje të përgjithshme. Sipas Radios Evropa e Lirë, e cila ka pasur qasje në draftin konkluzionet e përgatitura për këtë takim, nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha detyrimet në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, parafundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”.

Marrëveshja prej 11 nenesh drejt normalizimit te raporteve, parashikon ndër të tjera një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzionet e takimit të 12 dhjetorit, ndërsa më pas dritën jeshile duhet ta japin edhe liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor. Serbisë pritet t’i kërkohet gjithashtu të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve të 29 majit në Zveçan dhe 24 shtatorit në Banjskë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos