Bashkimi Europian ka bërë kritika të ashpra ndaj Serbisë. Në progres-raportin për Serbinë, theksohet se Beogradi ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu i Brukselit, duke miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, raporton A2 CNN.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, tha për mediat në Kosovë se duke bërë kështu, Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.
“Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massrali.
Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi projektligjin për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës. BE-ja i rikujton Serbisë se është e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet nga dialogu me Kosovën, të cilin është duke e zhvilluar nën ndërmjetësimin e bllokut prej vitit 2011, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian. Ajo i bëri thirrje Serbisë ta rishqyrtojë këtë projektligj, i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special “për të ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 u dakordësuan për zbatimin e tij dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë. Projektligjit thotë se juridiksionin e çështjeve penale në shkallë të parë ta ketë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd, sipas qeverisë serbe. Bashkimi Europian i bëri thirrje Serbisë që ta rishqyrtojnë projektligjin në fjalë përmes së cilit synon krijimin e një prokurorie speciale për territorin e Kosovës. (A2 Televizion)