Mijëra protestues rrethuan të martën godinën e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Serbi, në shenjë kundërshtimi ndaj një ligji të ri që synon të përshpejtojë shndërrimin e ndërtesës në një kompleks luksoz, i cili do t’i jepet me qira një kompanie investimi të themeluar nga dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Protesta në kryeqytetin Beograd iu shtua një vale demonstratash antiqeveritare që po e vënë nën presion Presidentin Aleksandar Vuçiç, të nxitura fillimisht nga shembja e çatisë së një stacioni treni një vit më parë, ku humbën jetën 16 persona, shkruan A2.
Të premten, ligjvënësit serbë miratuan një ligj që do të lejojë përshpejtimin e procedurave administrative për kompaninë Affinity Global Development të Kushner-it, për të ndërtuar një hotel, apartamente, dyqane dhe zyra në vendin ku ndodhej ish-shtabi i ushtrisë jugosllave.
Protestuesit thanë se duke miratuar këtë ligj, Vuçiç synon t’i bëjë qejfin Presidenti amerikan, duke kërkuar në këmbim heqjen e sanksioneve ndaj kompanisë shtetërore të naftës NIS. (A2 Televizion)
