
Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të premten një ligj të posaçëm për shembjen e godinës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në qendër të Beogradit, për t’i hapur rrugën ndërtimit të një hoteli luksoz nga Jared Kushner - dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.
Rindërtimi është veçanërisht i ndjeshëm në Serbi, pasi kompleksi modernist i mesit të shekullit XX u shkatërrua pjesërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, që i dha fund luftës në Kosovë.
Njëqind e tridhjetë deputetë votuan për këtë ligj, ndërsa 40 ishin kundër.
Gjithashtu, Kuvendi serb e miratoi edhe një propozim për të përcaktuar ekzistencën e arsyeve veçanërisht të arsyeshme që ligji të hyjë në fuqi më herët se dita e tetë nga data e publikimit.
Ligji, i quajtur lex specialis, është një ligj i veçantë që ka përparësi ndaj ligjit të përgjithshëm në rastet kur të dy rregullojnë të njëjtën çështje.
Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trumpit dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të parë të Trumpit, vitin e kaluar bëri publik planin për një kompleks hotelier prej 500 milionë dollarësh në qendër të Beogradit.
Projekti përqendrohet në ish-godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, në zemër të kryeqytetit, e cila u bombardua nga NATO-ja në pranverën e vitit 1999, gjatë fushatës për të ndaluar sulmet serbe në Kosovë.
Me gjithë dëmtimet, ndërtesa mbeti nën mbrojtje, për shkak të vlerës arkitekturore, sipas aktivistëve lokalë.
Ky ligj anashkalon këtë mbrojtje, duke e shpallur projektin “prioritet kombëtar”.
Ai parashikon që “të gjitha procedurat për zbatimin e projektit të rindërtimit të Shtabit të Përgjithshëm të trajtohen si urgjente” dhe që “të gjitha institucionet shtetërore të marrin vendime brenda kompetencave të tyre pa vonesa”.
Opozita paralajmëron parandalimin e shembjes së godinës
Në debatin para miratimit të ligjit, deputetët e opozitës kërkuan që ai të tërhiqej, duke e cilësuar atë të paligjshëm, ndërsa shumica qeverisëse argumentoi se ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm nuk mund të rinovohej dhe duhet të shembej.
“U bë një përpjekje për rindërtim, por nuk është i mundur për shkak të dëmtimeve dhe materialeve që nuk prodhohen më”, tha Millenko Jovanov, kreu i grupit parlamentar “Aleksandar Vuçiç - Serbia nuk duhet të qëndrojë”.
Bilana Gjorgjeviç, një deputete nga Fronti i Majtë i Gjelbër në opozitë, paralajmëroi se dispozitat e këtij ligji përcaktojnë se ai do të hyjë në fuqi një ditë pas miratimit të tij.
"Mund ta paramendoj që do të fillojnë prishjen qysh javën tjetër. Sigurisht, qytetarët do të vijnë dhe do të përpiqen ta parandalojnë, nuk mund ta paramendoj ndryshe", tha Gjorgjeviç.
Ajo kujtoi se kjo është një godinë pranë ndërtesës së Qeverisë në një pjesë të rëndësishme arkitekturore të Beogradit.
"Qytetarët nuk mund të kenë asnjë interes në këtë. Vetëm regjimi në pushtet mundet, në këtë moment, të ngrohë marrëdhëniet me familjen Trump", tha Gjordjeviç.
Deputeti i partisë Qendra e Serbisë (SRCE), Petar Boshkoviç, vlerësoi se ndërtesa duhet të ruhet, ndër të tjera, sepse "nyja më e lartë e të gjitha komunikimeve ndodhet poshtë saj".
"Deputetët në pushtet duhet të mbahen përgjegjës për tradhti të lartë pas kësaj. Unë sugjeroj që hoteli i ardhshëm të zhvendoset në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes", tha Boshkoviç.
Ivana Rokviç, deputete nga Lëvizja Popullore e Serbisë (NPS), tha se po shkatërrohet një simbol i historisë dhe shtetësisë.
"Vetëm për hir të qëndrimit në pushtet dhe pasurimit, për pak mëshirë nga Trump", tha Rokviç./ REL (A2 Televizion)
