Bie në det helikopteri që po fikte zjarret në Greqi, pilotët dalin me not

Nga A2 CNN
22 Korrik 2025, 16:55 | Ballkani

Një helikopter që ishte angazhuar në fikjen e zjarreve në zonën e Aspropyrgos në Greqi, bëri një ulje emergjente në det, në Gjirin e Elefsinës pak pas orës 14:00 të mesditës së sotme.

Helikopteri po përpiqej të mbushte depozitat e tij me ujë dhe pas tij, në një lartësi më të madhe, ndodhej një helikopter i dytë që priste të realizonte të njëjtin proces furnizimi me ujë.

Helikopteri, i cili ishte marrë me qira nga shteti grek, po operonte në shuarjen e zjarrit që ka shpërthyer në zonën Imeros Topos, në një zonë me bimësi të ulët, por për arsye ende të panjohura, u detyrua të bënte një ulje emergjente.

Tre personat që ndodheshin në bord janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë nxjerrë nga deti.

Një roje bregdetare shihet me një motoskaf teksa shpëton pilotët që po largoheshin me not dhe personin e tretë që ndodhej në bordin e helikopterit, të cilët më pas u transferuan në një anije të Rojës Bregdetare që nxitoi në vendngjarje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos