Bullgaria drejt zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri në detyrë refuzon mandatin qeverisës

Nga A2 CNN
12 Janar 2026, 17:08 | Ballkani

Bullgaria drejt zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri në detyrë

Bullgaria po shkon drejt një tjetër raundi zgjedhjesh të parakohshme, pasi partia më e madhe në parlament, GERB-SDS, ka refuzuar të marrë përsipër krijimin e një qeverie të re.

Mediat e huaja bëjnë të ditur se sipas procedurës kushtetuese, presidenti Rumen Radev i dorëzoi mandatin kryeministrit në detyrë, Rosen Zhelyazkov, por ai e ktheu menjëherë, duke argumentuar se nuk ekziston mbështetja e nevojshme në parlament për formimin e një shumice të qëndrueshme.

Qeveria e koalicionit e drejtuar nga Zhelyazkov, e mbështetur nga GERB-SDS, kishte dhënë dorëheqjen muajin e kaluar, pas javësh protestash kundër korrupsionit dhe kundërshtimeve ndaj buxhetit të ri, i cili parashikonte rritje taksash.

Tani pritet që presidenti Radev t’ia kalojë mandatin forcës së dytë më të madhe parlamentare, koalicionit reformist PP-DB. Megjithatë, edhe ky grupim pritet ta refuzojë ofertën, ç’ka do ta detyrojë kreun e shtetit t’ia japë mandatin një force tjetër politike.

Në rast se asnjë parti nuk arrin të sigurojë shumicën parlamentare, parlamenti do të shpërndahet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme, shkruan A2 CNN.

Nëse kjo ndodh, do të jenë zgjedhjet e teta parlamentare në vetëm katër vjet, një tregues i qartë i krizës dhe paqëndrueshmërisë së vazhdueshme politike në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos