Retorika kërcënuese e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç po ndez sërish tensione në rajon.
Një ditë pasi akuzoi Kroacinë se po udhëheq një të ashtuquajtur “aleancë ushtarake” me Kosovën dhe Shqipërinë kundër Serbisë, reagimi nga Zagrebi ishte i menjëhershëm dhe i prerë: thirrje për paqe, transparencë dhe bashkëpunim rajonal.
Ministri i Brendshëm kroat, Davor Božinović, hodhi poshtë akuzat e Beogradit, duke theksuar se Kroacia është një vend anëtar i Bashkimit EUropian dhe çdo veprim i saj në arenën ndërkombëtare është i hapur dhe në përputhje me standardet euroatlantike, shkruan A2CNN.
Ai e cilësoi retorikën e Vuçiçit si të rrezikshme dhe të panevojshme për stabilitetin e Ballkanit. Shqipëria ende nuk ka komentuar apo dënuar deklaratën e presidentit serb që pretendoi se kjo aleancë ka për qëllim përgatitjen për një luftë kundër Serbisë. Nga ana tjetër, Vuçiç vazhdoi gjuhën konfrontuese, duke deklaruar në Beograd se bashkëpunimi mes Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës “është krijuar kundër popullit serb” dhe paralajmëroi forcimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, një mesazh që ringjall frikën e politikave të vjetra destabilizuese në rajon.
Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt këtyre deklaratave, Božinović nënvizoi se pavarësisht dallimeve historike dhe kalendarëve fetarë të ndryshëm, vendet e rajonit duhet të ndajnë mesazhe paqeje, jo kërcënimesh. Ai theksoi se Kroacia nuk ka asnjë agjendë armiqësore dhe se bashkëpunimi rajonal është çelësi i sigurisë kolektive. Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar, ministrat e Mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, një dokument transparent, i hapur edhe për vende të tjera, që synon përballjen me kërcënimet hibride, rritjen e ndërveprimit dhe mbështetjen e plotë të integrimit euroatlantik. Një marrëveshje mbrojtëse, jo agresive, ndryshe nga narrativa që përpiqet të imponojë Beogradi. (A2 Televizion)