Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Shtetërore e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila e dënoi me një vit burg për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka reaguar me sfidë ndaj drejtësisë.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Banja Lluka, Dodik deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga posti dhe se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Unë do të vazhdoj të jem president i Republikës Serbe. Ky është vullneti i popullit dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë me vendime të orkestruara politikisht”, u shpreh Dodik, duke e quajtur procesin gjyqësor kundër tij të motivuar politikisht.
Ai theksoi se vendimi nuk është ende përfundimtar dhe se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për ta apeluar.
“Asnjë vendim nuk ka fuqi ligjore derisa të bëhet i formës së prerë", shtoi ai.
Sipas aktgjykimit, nëse dënimi konfirmohet nga gjykata e apelit, Dodik do të ndalohet të mbajë funksione publike për gjashtë vjet, përfshirë edhe detyrën aktuale si president i Republikës Serbe. Kjo parashikohet në nenin 203a, paragrafi 5 i Kodit Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Reagimet nga opozita dhe analistët politikë janë të ndara: disa e shohin deklaratën e Dodikut si një sfidë të hapur ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa të tjerë e interpretojnë si përpjekje për të forcuar mbështetjen politike në një moment të vështirë.
Nëse vendimi i apelit mbetet në fuqi, vendi mund të përballet me një krizë të re institucionale, me pasoja të mundshme për stabilitetin politik të Bosnjë dhe Hercegovinës. (A2 Televizion)