
Të paktën 14 persona nga shoqëria civile serbe u vunë në shënjestër të programeve të avancuara të spiunazhit në fillim të këtij viti, në atë që organizata për të drejtat digjitale Share Foundation e cilësoi si valën më të madhe të dokumentuar të infektimit me spyware në Serbi deri më tani.
Vala e sulmeve me spyware u zbulua në gusht, pasi Apple njoftoi njerëz në 110 vende se me shumë gjasa ishin bërë viktima të programeve të spiunazhit të prodhuara dhe përdorura nga aktorë privatë, raporton “The Guardian”, përcjell A2 CNN.
Citizen Lab, organizatë që kryen analiza të sulmeve me spyware, publikoi të mërkurën një analizë që tregonte se të paktën një prej serbëve ishte vënë në shënjestër të spyware-it Pegasus, të prodhuar nga kompania NSO Group. Ky program do t’i kishte dhënë sulmuesit “akses të plotë në pajisje”.
Share Foundation tha se mes personave të shënjestruar kishte edhe anëtarë të lëvizjes studentore serbe, e cila që prej vitit 2024 është kthyer në një nga kundërshtarët më të fortë të qeverisë së Aleksandar Vuçiçit.
Lëvizja studentore u konsolidua pas protestave mbarëkombëtare që nisën pas shembjes së një pjese të një stacioni hekurudhor atë dimër dhe është shndërruar në një nga lëvizjet më të mëdha studentore në Europë.
Vuçiç është në pushtet prej më shumë se një dekade. Kritikët e tij e akuzojnë se gjatë kësaj periudhe ka dobësuar institucionet dhe e ka afruar gjithnjë e më shumë Serbinë me Moskën.

Megjithatë, nuk ka prova që qeveria e Vuçiçit ishte aktori që vuri në shënjestër studentin me spyware-in Pegasus. Ndërkohë, programe të tjera spiunazhi të përdorura kundër studentëve, përfshirë një software të quajtur NoviSpy, janë lidhur më herët me autoritetet serbe.
Share Foundation tha se koha kur ndodhën sulmet, gjatë zgjedhjeve lokale të marsit, mund të ketë shërbyer si një provë përpara zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për tetor.
“Kjo është vala më e madhe e dokumentuar e survejimit në Serbi deri më tani”, tha Andrijana Ristiç, këshilltare për politikat pranë Share Foundation.
“Ne mendojmë se zgjedhjet lokale u përdorën në thelb si një test nga partia në pushtet për të parë fuqinë e spyware-it, por edhe për të kuptuar nivelin e presionit që mund të ushtrojnë mbi studentët dhe opozitën”, shtoi ajo.
John Scott-Railton, studiues i lartë në Citizen Lab, tha: “Gjetjet tona forenzike, së bashku me valën e re të njoftimeve të Apple për kërcënimet, tregojnë se lëvizja paqësore pro-demokracisë në Serbi po vihet në mënyrë agresive në shënjestër nga spyware-i i prodhuar nga kompani private, përpara cikleve të rëndësishme zgjedhore të vitit 2026”.
Milica Popoviç, një prej studenteve që u vu në shënjestër, i cilësoi sulmet si “mizore”. “Mendimi se dikush mund të ketë hyrë në hapësirën time private pa dijeninë time më bëri të ndihesha jashtëzakonisht e ekspozuar”, tha ajo.
Megjithatë, Popoviç tha se sulmi, sado i pakëndshëm të ishte, nuk do ta pengonte atë apo lëvizjen studentore. “Nëse qëllimi i tyre ishte të na frikësonin ose të na bënin të ndalonim, kjo nuk do të funksionojë”, tha ajo. (A2 Televizion)