Një zjarr i madh përfshiu një azil për të moshuarit në qytetin e Tuzllës në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës duke shkaktuar të paktën 11 viktima dhe rreth 30 të plagosur.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por autoritetet kanë nisur një hetim në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve lokale, mes hipotezave është ajo e një qarku të shkurtër ose keqfunksionimi i sistemit elektrik.
Mediat lokale thanë se disa prej viktimave kanë mbetur të bllokuara në dhomat e pushtuara nga tymi, ndërsa persona të tjerë u shpëtuan me simptoma të rënda intoksikimi. Flakët shpërthyen gjatë orës 21 të mbrëmjes në katin e katërt të strukturës që strehonte dhjetëra të moshuar, shumë prej të cilëve me lëvizshmëri të kufizuar, shkruan A2.
Zjarri u përhap me shpejtësi duke e bërë të vështirë operacionin e evakuimit. Zv/shefi i zjarrfikësve tha: “Situata ishte shumë e vështirë pasi zjarri ishte shumë i madh dhe sfidues, dhe evakuimi përfshinte individë me lëvizshmëri të kufizuar apo pa lëvizshmëri fare”.
Rreth 20 zjarrfikës dhe mjete të ndryshme u mobilizuan për të shuar flakët. Shërbimet e emergjencës mjekësore transferuan në spital të plagosurit e shumtë, ndërsa policia izoloi zonën.
Imazhet e shpërndara nga mediat boshnjake tregojnë një godinë të dëmtuar rëndë, me çatinë pjesërisht të shembur. Disa prej të moshuarve nuk kanë arritur dot të dalin në kohë nga dhomat e tyre, për shkak të pamundësisë dhe përhapjes së shpejtë të tymit.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar se mes viktimave janë personat më të moshuar, ndërsa numri i të plagosurve nuk është përcaktuar ende. Kryeministri i Federatës së Bosnjës, Nermin Nikshiq, njoftoi se Qeveria do të marrë pjesë në rindërtimin e shtëpisë dhe kujdesin për banorët e saj. (A2 Televizion)
