
Një 45-vjeçar është arrestuar në Lushnjë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 65 doza kokainë në automjetin e tij, me qëllim shitjen.
Policia e Lushnjës, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, finalizoi operacionin e koduar “Gjurmimi”, pas administrimit të informacionit për një shtetas që dyshohej se ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në doza.
Në pranga ra shtetasi me inicialet E. M., 45 vjeç, banues në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnjë. Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë teksa qarkullonte me automjet në fshatin ku banonte.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi 65 doza kokainë, me peshë totale 156 gramë, një armë gjahu dhe 105 fishekë për të, dy peshore elektronike, një aparat celular, automjetin që përdorte si dhe një shumë parash në euro dhe lekë, që dyshohet se është përfituar nga shitja e lëndëve narkotike. (A2 Televizion)