
“Problemi me transportuesit është zgjidhur, Komisioni Evropian do të lëshojë viza për transportuesit”. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski. Ai në profilin e tij në Facebook shkroi se Brukseli i ka pranuar qëndrimet e shtetit dhe do të sjellë një strategji të re për transportuesit.
“Pikërisht tani mora LAJME SHUMË TË MIRA nga Brukseli lidhur me problemin e madh të transportuesve nga Maqedonia! Qëndrimet tona janë pranuar. Shoferët janë pranuar si PROFESIONISTË. Kjo është ajo që kërkuam. Pas protestave dhe ofensivës së fortë të periudhës së kaluar, Brukseli do të sjellë një strategji të re për viza, e cila do të nënkuptojë zgjidhjen e problemit me të cilin u përballën shoferët profesionistë”, shkroi Nikolloski.
Propozim-zgjidhja e Komisionit Evropian për lëshimin e vizave për transportuesit, sipas transportuesve, përfaqëson një regjim të vjetëruar që do t’u sjellë kosto shtesë dhe do të nënkuptojë kthim pas në kohën kur punonin me viza. Megjithatë, nëse nuk ka zgjidhje tjetër, ata do ta pranojnë.
Ndërkohë, nga komunikimi me protestuesit pritet që sonte në orën 20:00 të nisë zhbllokimi i pikave doganore. E njëjta gjë për Qafë Thanën dhe të gjitha pikat e tjera kufitare. (A2 Televizion)