Tensione të larta, përleshje me policinë, dhunë me gurë dhe shkopinj. Këto janë skenat e protestës së fortë të fermerëve në Greqi, që kërkojnë nga qeveria të bëjë më shumë për të marrë subvencionet nga Bashkimi Europian, që kanë mbetur peng i një skandali për korrupsion.
Synimi i tyre tashmë është bllokimi i veprimtarisë në portin rajonal të Volosit. Fermerët kanë vendosur mijëra traktorë dhe kamionë në dhjetëra bllokada për ditë të tëra, duke ndërprerë trafikun në disa kryqëzime përgjatë autostradave kryesore dhe duke bllokuar herë pas here kalimet kufitare, ndërsa përballen me një mungesë prej më shumë se 600 milionë eurosh në ndihmën e Bashkimit Europian dhe pagesa të tjera, shkruan A2 CNN.
Vonesat u shkaktuan nga hetimet për një skandal korrupsioni në të cilin disa fermerë, të ndihmuar nga punonjës shtetërorë, falsifikuan pronësinë e tokës për t'u kualifikuar për pagesa. Auditimet e vazhdueshme kanë ngadalësuar shpërndarjet e dëmshpërblimeve. (A2 Televizion)